Kalludër: Institucionet kujtojnë të zhdukurit, vizitojnë varrin masiv në Ditën Ndërkombëtare

Sot, me rastin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, institucionet e Kosovës do të realizojnë një vizitë në vendin e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut.

Në këtë vizitë do të marrin pjesë Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti për Mjekësi Ligjore, në bashkëpunim me shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur.

Aktiviteti organizohet si shenjë respekti dhe nderimi për viktimat e zhdukjeve me forcë, si dhe në mbështetje të familjeve që, prej më shumë se dy dekadash, vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.

“Ky aktivitet organizohet në frymën e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe në partneritet me shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur, duke vlerësuar kontributin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në procesin e kërkimit dhe zbardhjes së fatit të personave të zhdukur,” theksohet në njoftim.