Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë persona – shtatë meshkuj dhe dy femra – të dyshuar për mashtrim përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit të policisë, gjashtë prej të arrestuarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa tre të tjerë janë shtetas të Gjermanisë.
Të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë shfrytëzuar qendrat e thirrjeve për të kontaktuar dhe mashtruar shtetas të huaj. Në pajisjet e tyre kompjuterike janë gjetur të dhëna personale të këtyre shtetasve, të cilët dyshohet se janë viktimizuar nga skema mashtruese.
Gjatë kontrollit të katër lokacioneve, policia ka gjetur dhe konfiskuar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 disqe të jashtme (HDD), një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
Pas përfundimit të operacionit dhe sekuestrimit të provave, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.