Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 22 korrik 2026 nuk do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me peshë mbi 20 tonë.

Ky vendim vjen pasi, sipas parashikimeve zyrtare të temperaturave, ditën e nesërme nuk pritet të plotësohen kushtet e parashikuara në vendimin për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit, të vendosura për shkak të temperaturave të larta.

Ministria bën me dije se do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të parashikimeve meteorologjike. Ajo do të njoftojë në kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë në rast se do të plotësohen kushtet për aktivizimin e masave kufizuese.

Këto kufizime të përkohshme të qarkullimit aplikohen vetëm kur temperaturat arrijnë nivele të caktuara nga autoritetet. Qëllimi është mbrojtja e infrastrukturës rrugore gjatë periudhave me vapë ekstreme.