IPAK kërkon rishqyrtim të plotë të procesit gjyqësor në Hagë, thekson shqetësime për raportin e Dick Marty-t
**Prishtinë** – Instituti për Avancim Kombëtar (IPAK) i është drejtuar me një letër institucioneve kryesore ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, Kombet e Bashkuara, si dhe presidentëve të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Në këtë letër, IPAK-u kërkon një shqyrtim të plotë në shkallën e apelit të procesit gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Organizata thekson rëndësinë e shqyrtimit rigoroz të aktgjykimit të shkallës së parë dhe të provave vendimtare nga shkalla e apelit. Sipas IPAK-ut, nëse pas këtij shqyrtimi nuk vërtetohet përgjegjësia individuale e katër të akuzuarve përtej dyshimit të arsyeshëm, ata duhet të lirohen në përputhje me ligjin.
Letra shpreh shqetësime serioze lidhur me mënyrën e trajtimit të provave dhe dëshmive të mbrojtjes, besueshmërinë e disa dëshmive, si dhe trajtimin e provave shfajësuese. Po ashtu, vihet theksi te lidhja ndërmjet incidenteve të veçanta dhe përgjegjësisë individuale të personave të akuzuar, duke nënvizuar se një incident i kryer nga individë në terren nuk mund të nënkuptojë automatikisht përgjegjësi penale të drejtuesve politikë apo të Shtabit të Përgjithshëm.
Një pjesë e veçantë e dokumentit i kushtohet raportit të Dick Marty-t të vitit 2011. Nënshkruesit kërkojnë nga institucionet ndërkombëtare të sqarojnë dallimin mes pretendimeve të atij raporti dhe akuzave të përfshira në aktakuzën kundër katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata kërkojnë të kuptohet qartë se cilat nga pretendimet fillestare janë verifikuar dhe çfarë ndikimi kanë pasur në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Letra përmend edhe mbrojtjen e Dick Marty-t nga autoritetet zvicerane, duke e cilësuar këtë si një çështje që kërkon hetim të mëtejshëm. IPAK-u thekson se nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të pohuar si fakt se raporti i Marty-t ishte i sajuar nga Serbia në bashkëpunim me Rusinë.
IPAK-u kërkon gjithashtu një vlerësim të pavarur dhe transparent të funksionimit të Dhomave të Specializuara, përfshirë mënyrën e trajtimit të provave të Prokurorisë dhe mbrojtjes, verifikimin e pretendimeve për parregullsi procedurale dhe publikimin e një raporti mbi përfundimet e këtij vlerësimi. Për këtë qëllim, propozohet krijimi i një Komisioni Mbikëqyrës të Pavarur, ku do të merrnin pjesë përfaqësues të Kosovës, ekspertë ndërkombëtarë të së drejtës penale, si dhe përfaqësues nga Këshilli i Evropës, BE-ja dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në pjesën tjetër të letrës, theksohet nevoja për zbatimin e parimit të barazisë para drejtësisë në trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë. IPAK-u kërkon hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë personave për të cilët ekzistojnë prova të besueshme për krime të kryera gjatë luftës, pa dallim përkatësie apo palësh në konflikt.
Letra i referohet edhe dëshmive të disa zyrtarëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë, si Wesley Clark, James Rubin, Christopher Hill dhe John Duncan, lidhur me strukturën dhe funksionimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës. Këto dëshmi, sipas IPAK-ut, janë thelbësore për vlerësimin e çështjes së autoritetit dhe kontrollit faktik mbi strukturat e UÇK-së.
Në fund, IPAK-u rithekson thirrjen e tij për lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së nëse fajësia individuale e tyre nuk provohet sipas standardit penal “përtej dyshimit të arsyeshëm”, duke theksuar se aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 është i shkallës së parë dhe jo përfundimtar. Organizata u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare për drejtësi të paanshme, transparencë dhe trajtim të barabartë të viktimave dhe të akuzuarve, duke theksuar se kërkesa e tyre nuk është për privilegj apo imunitet, por për përgjegjësi penale individuale, prova të verifikueshme dhe procese të drejta.
