Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur miratimin në Kuvend të deklaratës në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilën e sheh si përgjigje ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Njëkohësisht, PDK-ja ka kërkuar procedimin urgjent të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen dhe kontributin në harmonizimin e tekstit të deklaratës. Sipas partisë, miratimi i deklaratës nga Kuvendi shpreh qëndrimin e tij për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshton aktgjykimin e vlerësuar si të padrejtë. Ky hap konsiderohet si një dëshmi e rëndësishme e vullnetit të përbashkët politik, i cili tani duhet të kthehet në veprim konkret.

PDK-ja thekson se pas deklaratës, radha është e projektligjit të propozuar nga vetë ajo, që synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nëpërmjet një postimi në Facebook, partia kërkoi nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë këtë projektligj në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta shqyrtojnë dhe votojnë me urgjencë.

Deklarata, sipas PDK-së, shpreh qëndrimin e Kuvendit, ndërsa votimi i ligjit do të jetë hapi i radhës për t’u dhënë përgjigje institucionale kërkesave të ngritura. Partia Demokratike e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj. Ajo theksoi se vullneti i përbashkët i dëshmuar sot për mbrojtjen e vlerave kombëtare, duhet të reflektohet edhe në votimin e ligjit.