Tragjedia në Maliq: Presidenti Begaj ngushëllon familjen e policit të rënë në detyrë
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas incidentit tragjik në Lozhan të Maliqit, ku efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni për arrestimin e një personi të dënuar. Kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes së policit të rënë në detyrë.
Operacioni kishte si objektiv arrestimin e Violand Braçellarit, i cili ishte shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë për afro 10 vite.
Në shkëmbim zjarri mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, i plagosur mbeti edhe vetë autori i ngjarjes, Braçellari.
Në reagimin e tij, presidenti Begaj shkruan:
“Bashkohem thellësisht me dhimbjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës së policit Enea Mekolli dhe plagosjen e rëndë të kolegut të tij, Edison Adri. I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta!
I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!
Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje dhe do ta kthejë dhimbjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë. Populli shqiptar është në mbështetje të plotë të policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik,” përfundoi Begaj.
