**Sulm me armë zjarri ndaj një autobusi në Malishevë, arrestohet një i dyshuar dhe sekuestrohet një armë**

Një autobus është sulmuar me armë zjarri sot në fshatin Pagarushë të Malishevës. Si pasojë e incidentit, Policia ka arrestuar një person dhe ka sekuestruar një armë.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazeta Express zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Policia bën të ditur se rreth orës 12:10 është marrë një njoftim për sulm me armë zjarri ndaj një autobusi në Pagarushë të Malishevës. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve, personi i dyshuar është arrestuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë operacionit, është sekuestruar edhe një armë zjarri e tipit AK-47.

Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar. Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe aktualisht ndodhet në proces hetimor.