Biznesmen spanjoll, rival i mundshëm i Florentino Perezit për presidencën e Real Madridit

Presidenti aktual i Real Madridit, Florentino Perez, ka sfiduar hapur çdo kandidat të mundshëm që të prezantojë veten në zgjedhjet presidenciale të klubit, të cilat ai njoftoi se do të mbahen së shpejti. Ky rival, i cili ende nuk është përmendur me emër nga Perezi, raportohet se po shqyrton seriozisht mundësinë për t’u kandiduar kundër tij.

Perez bëri të ditur se kishte urdhëruar bordin drejtues të nisë procesin zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet do të mbahen brenda një harku kohor prej 10 deri në 15 ditësh. Presidenti i Real Madridit shprehu zemërim ndaj asaj që ai e quajti një fushatë mediatike kundër tij dhe një përpjekje për ta larguar nga drejtimi i klubit.

Ai theksoi gjithashtu se pjesë e kësaj fushate ishin “ata fëmijë dhe të rinj”, si dhe një person “me theks meksikan”.

“Po thërras zgjedhje këtë vit që të ketë kandidatë. Ai zotëria që flet me kompanitë energjetike dhe ka theks nga Amerika e Jugut, le të kandidojë. Theks meksikan. Ata thonë se ne jemi shumë keq, se kemi diktaturë. Le të kandidojë ky zotëria për të cilin po flasim dhe kushdo tjetër që dëshiron”, deklaroi Perez.

Sipas raportimeve të mediave prestigjioze spanjolle “Diario AS” dhe “Marca”, personi të cilit iu referua Perez është Enrique Riquelme. Biznesmeni 37-vjeçar është president i kompanisë Cox Energy dhe kohët e fundit mori vëmendje me ofertën e tij prej 4 miliardë eurosh për blerjen e Iberdrola Mexico.

Riquelme pritet të udhëtojë drejt Spanjës në orët e ardhshme për t’u takuar me këshilltarët e tij dhe për të marrë vendimin përfundimtar mbi kandidimin. Ai ndodhej në një fluturim drejt Panamasë në momentin e konferencës për shtyp të Perezit.

Për të kandiduar kundër Perezit, Riquelme dhe bordi i tij i mundshëm duhet të sigurojnë një garanci bankare në vlerën e 187 milionë eurosh. Ai plotëson kriterin për të qenë anëtar i klubit për më shumë se 20 vite, ndërsa babai i tij ka qenë pjesë e bordit të ish-presidentit Ramon Calderon.

Riquelme kishte shprehur interes për presidencën e Real Madridit edhe në vitin 2021, duke shqyrtuar mundësinë e kandidimit.