Një person u gjet pa shenja jete në bodrumin e një banese në Pejë, mbrëmjen e së dielës.

Sipas njoftimit nga policia, ngjarja u shënua në rrugën “UÇK” në Pejë. Policia u njoftua se në bodrumin e një banese gjendej një person i shtrirë. Menjëherë, njësitë policore mbërritën në vendin e ngjarjes.

Personi u transportua me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku, ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e tij.

Zëdhënësi i Policisë, Driton Rugova, deklaroi se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit. Ky i fundit ka urdhëruar dërgimin e trupit të pajetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.