**Normalizohet kalimi kufitar me Maqedoninë e Veriut pas rregullimit të sistemit**
Është rikthyer funksionimi normal i sistemit për regjistrimin e hyrje-daljeve në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas një ndërprerjeje teknike që kishte penguar evidentimin e udhëtarëve dhe automjeteve.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se defekti në sistemin elektronik është riparuar dhe tashmë qarkullimi në pikat kufitare po zhvillohet pa probleme.
Sipas njoftimit zyrtar, sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve është vënë sërish në funksion në të gjitha pikat kufitare, duke mundësuar regjistrimin e rregullt të personave dhe automjeteve.
Autoritetet kanë bërë të ditur se qytetarët mund të kontaktojnë QKMK-në për çdo informacion shtesë lidhur me qarkullimin kufitar, ndërsa theksojnë se situata është stabilizuar plotësisht.
