Duka zbulon kundërshtarët e parë të Kombëtares: Luksemburgu i konfirmuar, mohohet Italia dhe Kosova
Kombëtarja shqiptare e futbollit pritet të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka bërë të ditur sot emrin e kundërshtarit të parë.
Bëhet fjalë për Luksemburgun, ndërsa Duka theksoi se janë duke vazhduar bisedimet me ekipe të tjera për ndeshjen e dytë, duke lënë të hapur mundësitë për kundërshtarë si Kili dhe Danimarka.
Ai mohoi kategorikisht çdo mundësi për një ndeshje miqësore me Italinë, si dhe për një ndeshje me Kosovën. Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, kreu i FSHF-së shpjegoi detajet:
“Do të luajmë dy ndeshje në qershor. Kontratat nuk i kemi mbyllur ende. Pothuajse kemi rënë dakord për të luajtur me Luksemburgun në Tiranë, ndoshta më 3 qershor. Megjithatë, marrëveshja nuk është firmosur ende. Jemi në diskutime me disa skuadra të tjera si Kili dhe Danimarka. Me Italinë, jo, nuk kemi biseduar fare.”
Lidhur me një ndeshje vëllazërore me Kosovën, Duka shtoi: “Jo, nuk kemi diskutuar për të zhvilluar ndeshje miqësore me Kosovën.”
