Eksperti për videot intime të Adi Hilës: Kamerat nuk ishin për siguri, por drejtoheshin nga krevati
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka komentuar publikimin e videove intime në rrjetet sociale, ku shfaqej kompozitori Adi Hila me figura të njohura të shoubizit, në studion e tij muzikore.
Gjatë emisionit “News24 Fundjavë”, Softa u përqendrua te pozicionimi i kamerave, duke bërë dallimin mes kamerave të sigurisë dhe kamerave të fshehta.
“Kamerat e sigurisë duhet të ndahen nga kamerat e fshehta. Këto të fundit vendosen zakonisht kur prona mund të rrezikohet apo abuzohet. Por, kur një ambient përdoret si privat, gjërat ndryshojnë. Kamera ishte e drejtuar nga krevati, jo, për shembull, drejt kasafortës,” theksoi Softa.
Sipas tij, mënyra e orientimit të kamerës ngre pikëpyetje mbi qëllimin e vërtetë të vendosjes së saj.
“Nuk ka qëllime sigurie, por marrje të pamjeve. Fakti që kemi pamje filmike me përmbajtje intime, tregon se qëllimi i vendosjes së kamerave ishte i ndryshëm nga ai i sigurisë,” shpjegoi eksperti.
Softa foli edhe për mundësinë e hakerimit të sistemit, duke theksuar se në një rast të tillë duhet të përcaktohet mënyra dhe arsyeja e ndërhyrjes.
“Nëse flasim për hakerim, duhet të flasim për pse-në. Kur dikush ka hyrë në sistem dhe ka thyer kodin e sigurisë, dhe personi në fjalë deklaron ‘nuk kam pasur filmim’, duhet parë se si është hakeruar sistemi,” sqaroi ai.
Eksperti shtoi se pamjet e kamerave zakonisht ruhen në një sistem arkivimi dhe se nuk është i nevojshëm monitorimi i vazhdueshëm.
“Nuk do të hyjë dikush 24 orë për të kontrolluar një kamera që ke vendosur ti. Pamjet janë ruajtur diku si arkivë,” deklaroi Softa.
Duke iu referuar platformës Telegram, ai theksoi ekzistencën e grupeve ku shpërndahen materiale të marra nga kamera të fshehta, duke shtuar se këto pamje mund të përdoren edhe për shantazh.
“Në Telegram ka grupe të hapura që shpërndajnë pamje nga kamera të fshehta të personave të ndryshëm. Këto pamje shiten, publikohen dhe përdoren për shantazh,” u shpreh eksperti i sigurisë.
