PDK propozon ndryshime thelbësore në Ligjin për Gjykatën Speciale: Dënimi maksimal 15 vjet, vuajtja në Kosovë dhe falja presidenciale
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nisur një nismë legjislative për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Gjykata Speciale. Ky projektligj, nëse miratohet, parashikon ndryshime thelbësore si uljen e dënimit maksimal në 15 vjet, mundësinë e vuajtjes së dënimit në Kosovë, si dhe faljen e të dënuarve nga Presidenti i vendit.
Detajet e projektligjit, të cilat janë siguruar nga Gazeta Express, theksojnë se nenet 15, 16 dhe 17 – që lidhen me kohëzgjatjen maksimale të dënimit deri në 15 vjet, vuajtjen e tij në Kosovë dhe mundësinë e faljes nga Presidenti – do të hynin në fuqi menjëherë pas miratimit të ligjit. Kjo nënkupton që këto dispozita nuk do të lidhen me fazën aktuale të procedurave ligjore që po zhvillohen në Hagë, siç janë ato paraprake apo të apelit.
Ky ndryshim do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi të dënuarit si Pjetër Shala, i dënuar me 13 vjet burg, dhe Sali Mustafa, i njohur si ‘Cali’, i dënuar me 15 vjet. Sipas projektligjit, ata do të kishin mundësinë të ktheheshin në Kosovë për të vuajtur dënimin dhe potencialisht të faleshin nga Presidenti i Republikës. Po ashtu, ky nen (Neni 15) do të pengonte Gjykatën e Apelit të Speciales të konfirmonte dënime mbi 15 vjet, duke prekur kështu rastet e figurave të tjera të UÇK-së si Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, të dënuar me nga 25 vjet, si dhe Kadri Veseli, i dënuar me 18 vjet burg.
Ndërsa për procedurat e tjera që janë në zhvillim e sipër, projektligji parashikon që ato do të vazhdojnë sipas dispozitave ekzistuese deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit. Pas këtij momenti, çdo ankesë apo mjet tjetër juridik kundër vendimit do të shqyrtohet nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në Prishtinë, duke i dhënë kësaj të fundit juridiksion ekskluziv për procedurat e mëtejshme dhe duke përjashtuar Panelit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara nga juridiksioni mbi këto raste. Kjo dispozitë është përfshirë në Nenin 26 të projektligjit të propozuar nga PDK.
Partia Demokratike e Kosovës aktualisht është duke kërkuar përkrahjen e partive të tjera politike në Kuvend për miratimin e këtij projektligji.
