Dështon votimi i buxhetit në Junik, Vetëvendosje e quan fitore për bizneset
Buxheti i Komunës së Junikut nuk ka kaluar sot në votimin e Kuvendit Komunal. Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Jetmir Tofaj, e ka quajtur këtë rezultat një “fitore të madhe” për bizneset lokale.
Përmes një reagimi, Tofaj theksoi se sot u arrit një fitore e rëndësishme në mbrojtjen e bizneseve të Junikut. Ai sqaroi se paraprakisht, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte propozuar një rregullore që parashikonte ripërsëritjen e taksimit të bizneseve.
Sipas Tofajt, grupi i LVV-së e kishte cilësuar këtë si “hipokrizi” gjatë seancës. Pas argumentimit të tyre, neni që parashihte taksimin e bizneseve ishte hequr nga rregullorja.
Megjithatë, përveç kësaj, buxheti nuk ka arritur të kalojë në votim. Tofaj argumentoi se draftbuxheti ishte hartuar aq keq, saqë as grupi i LDK-së, i cili përfaqëson shumicën, nuk e kishte votuar atë në tërësi.
“Kjo tregon qartë se problemi nuk është vetëm te ne që kërkojmë ndryshime. Problemi është te një buxhet që nuk mund të marrë as mbështetjen e plotë të grupit që e përfaqëson shumicën,” shkroi Tofaj.
Ai theksoi se LVV nuk është kundër buxhetit në parim. Përkundrazi, Tofaj deklaroi se sapo të plotësohen kërkesat e tyre dhe të korrigjohen gabimet e konstatuara, buxheti do të votohet menjëherë, pa hezitim.
“Ne nuk jemi këtu për të bllokuar. Jemi këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve të Junikut,” shkroi Tofaj, duke shtuar: “Fjalët mbahen gjithmonë. Jo vetëm kur duhen votat.”
