Masakra e Lybeniqit: Dëshmitarja Elhame Kurtaj-Haradinaj rrëfen tmerret e luftës dhe dramën e njoftimit për vdekjen

Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Lybeniqit, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë. Me këtë rast, Elhame Kurtaj-Haradinaj, dëshmitare e drejtpërdrejtë e këtij tmerri, ka rrëfyer detaje të papublikuara më parë nga akti kriminal.

Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në Klan Kosova, aktivistja theksoi se Serbia ka kryer krime të paprecedenta kundër popullit të Kosovës.

Ajo deklaroi se “përveç kryerjes së krimeve, ata kanë bartur me vete kufomat me qëllim fshehjeje, duke shpallur edhe një luftë tjetër psikologjike kundër familjarëve.”

Kurtaj-Haradinaj ndau më tej një rrëfim thellësisht prekës nga periudha e luftës, kur ajo punonte si mësuese në Lybeniq.

Me lot në sy, ajo kujtoi: “Kam qenë unë ajo që ua kam dhënë lajmin kur kufomat u sollën nga Serbia. Nuk kam mundur të shkoj te nëna e nxënësit tim dhe t’i them se i kishte ardhur kufoma e djalit të saj të vetëm.”

Në fund, Kurtaj-Haradinaj shprehu shqetësimin se liria, për të cilën u derdh gjak dhe u bënë sakrifica të mëdha, sot, sipas saj, nuk po mbrohet siç duhet.