**Shala: Vendimi i Kushtetueses legjitimon politikën e Qeverisë në dëm të bizneseve**
Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për një masë të përkohshme lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Pas këtij vendimi, PDK-ja ka reaguar ashpër, duke theksuar se ai legjitimon politikën e Qeverisë në dëm të bizneseve.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi se kërkesa e tyre kishte për qëllim shtyrjen e zbatimit të procesit të liberalizimit, deri në krijimin e kushteve të nevojshme. Ai akuzoi Qeverinë Kurti për ndërhyrje në këtë çështje.
Shala sqaroi pozicionin e PDK-së për masën e përkohshme, duke shtuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe zbatohen gjithmonë.
“PDK-ja e ka konsideruar kërkesën për masë të përkohshme si shumë të drejtë dhe të arsyeshme. Synimi ishte të sigurohej një periudhë tranzitore, ku të përgatiteshin kushtet e duhura, të informoheshin bizneset, dhe të niste një proces normal liberalizimi, për të cilin, sipas Shalës, tashmë është vërtetuar se nuk ka qenë i përgatitur mirë. Sidoqoftë, vendimi është vendim dhe ne nuk kemi asnjë koment tjetër rreth vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ato duhet të zbatohen, si gjithmonë për Partinë Demokratike,” tha ai.
Shala shtoi se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), si palë tjetër në këtë çështje, është e kënaqur me vendimin, pasi ky i fundit ka legjitimuar politikën e tyre.
Ai theksoi se ky vendim “ka legjitimuar politikën e tyre në dëm të bizneseve, transparencës dhe metodologjisë së punës për hapjen e tregut.”
Deputeti Shala deklaroi se ZRRE është shndërruar në një aset të drejtpërdrejtë të politikës së qeverisë Kurti.
“Shala theksoi rëndësinë që sektori energjetik të kthehet në normalitet dhe që ZRRE të funksionojë si një institucion i pavarur. Fatkeqësisht dhe mjerisht për vendin dhe ekonominë, ZRRE-ja tashmë ka kaluar në aset direkt të politikës ditore të qeverisë Kurti,” tha ai, duke shtuar se shqetësimi i PDK-së ngrihet pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike në rregullator.
Ai përmendi edhe fushat specifike ku, sipas tij, qeveria Kurti ka ndikuar.
Shala adresoi çështjet e liberalizimit, rritjes së çmimeve, mungesës së monitorimit adekuat të “aferës së madhe” që po zbulohet dita-ditës, atë të matësve të energjisë, tregtisë së saj, planifikimit dhe mungesës së transparencës. “Vetëm skandali i fundit i matësve dhe skandali tjetër për rritjen e planifikuar të çmimit, bashkë me lojën politike të luajtur në momente të caktuara, na bën të dyshojmë se ata janë kthyer në një mekanizëm krejtësisht politik,” shtoi Shala.
Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njoftoi përmes një komunikate se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
ZRRE-ja theksoi se ky vendim konfirmon ligjshmërinë e vendimeve të saj dhe të gjithë procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.
Sipas ZRRE-së, ky proces ka për qëllim krijimin e një tregu konkurrues, transparent dhe efikas, gjithnjë në interes të konsumatorëve.
