Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka shtuar edhe 61 kompani të tjera në një listë të zezë të bizneseve që, sipas saj, janë të përfshira në shkeljen e të drejtave të njeriut të palestinezëve, përmes lidhjeve të tyre tregtare me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Pjesa dërrmuese e 214 kompanive që figurojnë tashmë në listë, të cilat janë me seli në 11 shtete, janë izraelite. Pesë nga 158 kompanitë e përfshira në listën e vitit të kaluar janë hequr në përditësimin e fundit.
Lista e zezë, e publikuar për herë të parë në vitin 2020, u krijua pas një votimi në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili nuk ka kompetenca për t’i detyruar kompanitë të ndërmarrin veprime. Qëllimi kryesor i saj është të bëjë publike dhe të vërë në pah kompanitë që kanë lidhje me vendbanimet izraelite.
Nuk është e qartë se çfarë ndikimi financiar ka pasur përfshirja në këtë listë për kompanitë.
“Ky raport është një tjetër kujtesë për kompanitë se ato kanë përgjegjësi në fushën e të drejtave të njeriut dhe pritet të kryejnë kontrollet e nevojshme për të garantuar se nuk përfshihen në shkelje apo abuzime të të drejtave të njeriut”, tha Volker Türk, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në një deklaratë.
Izraeli tha se “e kundërshton kategorikisht” publikimin e listës. “Kjo bazë të dhënash synon të shërbejë si një listë e zezë kundër bizneseve që nuk kanë kryer asnjë shkelje”, tha në një deklaratë misioni diplomatik i Izraelit në Gjenevë. “U bëjmë thirrje miqve tanë të mos i nënshtrohen kësaj përpjekjeje të shëmtuar për të futur në listë të zezë kompanitë izraelite.”
Zyra e OKB-së tha se i kishte njoftuar kompanitë për përfshirjen e tyre në listë dhe u kishte dhënë mundësinë të paraqisnin përgjigjen e tyre.
Raporti i fundit publikohet në një kohë kur vendbanimet izraelite në territoret palestineze janë përballur me një vëmendje të shtuar ndërkombëtare.
Në fillim të këtij muaji, Britania e Madhe ndaloi tregtinë me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku, sipas saj, “terroristët e kolonëve” po kryejnë “spastrimin etnik” të palestinezëve. Franca dhe Kanadaja njoftuan se do të ndërmerrnin masa të ngjashme.
