Grupet parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), bashkë me përfaqësues të organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës, kanë kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të Kosovës. Ata e kanë cilësuar ngërçin institucional si pengesë edhe për të ardhmen e të rinjve, raporton Ekonomia Online.
Granit Spahiu, përfaqësues i studentëve, theksoi se kriza institucionale nuk është vetëm politike, por përcjell një mesazh të keq për një gjeneratë të tërë. Ai paralajmëroi se studentët nuk do të qëndrojnë pafundësisht pasivë përballë bllokimit të institucioneve.
“Kjo nuk është vetëm një krizë politike, por është edhe një mesazh shumë i keq për një gjeneratë të tërë. Ne na thoni çdo ditë: mësoni, punoni dhe ndërtoni të ardhmen këtu. Por si ta ndërtojmë të ardhmen këtu, kur ata që duhet të ndërtojnë të tashmen nuk po funksionojnë? Ne nuk duam privilegje. Duam një universitet që na ecën përpara, duam mundësi për të rinjtë dhe duam institucione që punojnë. Duam edhe një shtet që nuk na detyron të largohemi, por na mundëson që të krijojmë të ardhmen këtu. Dhe ka diçka tjetër që dua ta them: Mos e nënvlerësoni asnjëherë studentin. Sepse shumë herë në historinë e këtij vendi, kur të tjerët kanë pritur, studentët gjithmonë kanë dalë. Kur të tjerët kanë heshtur, vetëm studentët kanë folur. Dhe kur është dashur ndryshim, studentët gjithmonë kanë qenë aty. Prandaj sot po kërkojmë qartësisht, po kërkojmë me përgjegjësi të lartë, po kërkojmë që Kuvendi të konstituohet dhe të fillohet puna. Por nëse dikush mendon se studentët do të qëndrojnë pafundësisht të mbyllur në bankat e tyre dhe të shohin se si shteti i tyre mbetet peng, ata nuk e kanë kuptuar studentin e Kosovës. Sepse ne nuk kemi ardhur këtu vetëm për të kërkuar të ardhmen, kemi ardhur këtu për të kërkuar të na lejohet ta ndërtojmë atë. Dhe nëse duhet të ngrihemi përsëri, do të ngrihemi. Jo kundër Kosovës, por gjithmonë për Kosovën”, tha Spahiu.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, theksoi se të rinjtë, që sot janë studentë, kanë parë krizën institucionale të vazhdojë për vite me radhë. Sipas tij, kjo situatë po ndikon edhe në mundësitë e tyre për punësim dhe qëndrim në Kosovë.
“Këta studentë që sot janë këtu duhet të kishin qenë fëmijë kur Albin Kurti fitoi zgjedhjet në vitin 2020. Ata duhet të kishin qenë në gjimnaz ose në shkollë fillore. Sot janë studentë dhe shohin të vazhdojë e njëjta krizë. Dikush që në vitin 2020, kur ka fituar Albin Kurti, ka qenë nxënës, sot mund të jetë i diplomuar në universitet dhe pret të gjejë një vend pune. Në fakt, e vetmja gjë që ju ka ofruar pasi ka diplomuar është largimi nga Kosova. 300 mijë njerëz janë larguar nga Kosova për 5 vjet. Ky nuk është migrim, kjo nuk është lëvizje e njerëzve, kjo është zhvendosje masive e njerëzve nga Kosova. Dhe kjo ndodh sepse, përveç qeverisjes, sot është përmbysur rendi kushtetues. Si mund të presë një i ri që ka ardhur sot me ne këtu, të bëhet diçka për të, për familjen e tij, për prindërit e tij, për një vend pune që kërkon pas diplomimit, kur organi kryesor i vendit mbahet i bllokuar. Dhe bllokimi i Kuvendit, shkelja e njëpasnjëshme e Kushtetutës nuk është një çështje formale, është simptoma e një pushteti anarkik, e një pushteti autoritar që nuk njeh asnjë normë, përkundrazi përmbys çdo normë, që nuk ka asnjë respekt për qytetarin e Kosovës, por mbi të gjitha nuk ka respekt për votuesin e tij”, u shpreh Gruda.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, kërkoi që institucionet të formohen dhe procesi të vazhdojë pa vonesa.
“Sot jemi këtu para qeverisë, ku abuzimi dhe bllokada me shtetin po vazhdojnë. Ajo që është e rëndësishme është se ne, si deputetë, jemi betuar për të mbrojtur Kushtetutën dhe gjithmonë do të jemi në mbrojtje të saj. Andaj nuk do të ndalemi derisa institucionet të formohen, qeveria të formohet dhe të vazhdojmë punën, e të mos bllokohemi. Andaj ftoj edhe një herë zotin Kurti që të vijë në Kuvend, të formojë institucionet dhe të vazhdojmë punën tutje”, përfundoi Bytyqi.
