Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, në tubim të fushatës në Prishtinë, ka bërë thirrje për unitet dhe ruajtje të aleancave strategjike të Kosovës, duke theksuar se vendi rrezikon të dëmtohet nga përçarjet e brendshme, raporton Ekonomia Online.

Osmani tha se kryeqyteti ka pasur rol vendimtar në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës dhe se sërish duhet të udhëheqë procesin e bashkimit të qytetarëve.

“Kryeministri i ardhshëm do ta udhëheqë një qeveri e cila nuk do të jetë kundër Prishtinës, por Prishtinën do ta rikthejë në kryeqendër të zhvillimit ekonomik për gjithë Kosovën. Është vërtet nder i veçantë që po e përmbyllim këtë cikël të takimeve anë e kënd Kosovës në këtë degë, që me të drejtë e mban emrin e shqiptarit më të madh të lindur ndonjëherë, emrin e presidentit tonë historik, doktor Ibrahim Rugova”, tha Osmani.

Ajo vlerësoi rolin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në periudhën e rezistencës, duke thënë se ai solli dimensionin njerëzor në politikë dhe arriti ta bashkojë popullin rreth idealeve të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

“Presidenti Rugova i ka sjellë Kosovës në kohët më të rënda të saj dhe i ka sjellë politikës në kohët më të rënda të saj dimensionin më të rëndësishëm: dimensionin human. Ai e ka sjellë njerëzoren në politikë. Ai ka besuar se, përkundër të gjitha gjasave, përkundër faktit që ende nuk kishim ushtri, ende nuk kishim sovranitet, ende nuk kishim shtet dhe ishim të okupuar, Kosova mund të ecte përpara me një fuqi që është mbi çdo fuqi tjetër. Ajo ka qenë bashkimi i popullit të Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci”, deklaroi Osmani.

Sipas saj, Rugova kishte kuptuar se forca e qytetarëve të bashkuar ishte më e madhe se çdo kërcënim me të cilin përballej vendi.

“Ai e ka ditur dhe e ka kuptuar, siç nuk e kishin kuptuar shumica e liderëve të Ballkanit, se vetëm në qoftë se bashkohemi të gjithë rreth këtyre kauzave, atëherë fuqia jonë është më e madhe se tanket serbe, është më e madhe se propaganda serbe dhe më e madhe se çdo fuqi që donte të na shfaroste”, tha ajo.

Duke folur për situatën aktuale politike, Osmani tha se sot Kosova ka shtetin dhe sovranitetin e saj, por po përballet me rrezikun e përçarjeve të brendshme.

“Dhe ku jemi ne sot? E kemi shtetin, e kemi sovranitetin, e kemi flamurin, dhe rrezikojmë që të na shkatërrojë përçarja mes vëllezërish dhe motrash. Prandaj, si qytetarë të këtij kryeqyteti që i ka prirë shtetit tonë në kohët më të rënda, ju që keni udhëhequr gjithmonë, udhëhiqni prapë. Na prini prapë që ta ndalim përçarjen dhe ta bëjmë bashkimin e madh për të cilin ka nevojë Kosova më shumë se kurrë më parë”, u shpreh ajo.

Osmani paralajmëroi për pasojat që mund të sjellin ndarjet politike dhe sulmet ndaj atyre që mendojnë ndryshe, duke përfshirë edhe raportet me aleatët ndërkombëtarë.

“Në qoftë se ne lejojmë që të ndahemi mes njëri-tjetrit, në qoftë se ne lejojmë që propaganda, manipulimi dhe fyerja ndaj grave shqiptare, ndaj motrave tona, ndaj secilit që mund të ketë një mendim ndryshe, ndaj secilit që mendon se aleanca me Amerikën është e shenjtë për këtë vend, të bëhen normalitet, atëherë ne do të humbasim gjithçka që kemi ndërtuar me mund e me shumë sakrificë”, tha Osmani.