**Rama i cilëson “çorba dhe spekulime” protestat masive, thotë se projekti i Zvërnecit do të bëhet**
Kryeministri Edi Rama ka cilësuar si “çorba dhe spekulime” protestat masive, tashmë në të shtatin radhë, të cilat kërkojnë dorëheqjen e tij dhe kundërshtojnë projektin në Zvërnec dhe zhvillimet e tjera. Në podcastin e tij “Flasim”, kreu i qeverisë theksoi se nuk ka ndërmend të dialogojë me protestuesit dhe se projekti i Zvërnecit do të realizohet, duke argumentuar se banorët realë të zonës janë pro tij.
Rama pohoi se banorët e vërtetë të Zvërnecit janë në favor të projektit. Ai rrëfeu një takim të zhvilluar atje, ku sipas tij, njerëzit ishin “fyer e masakruar nga flamengot online” si të mbledhur “kokrra kokrra”, por në të vërtetë janë banorë të zonës që pretendojnë pronat e tyre dhe kanë interes të drejtpërdrejtë në zhvillimin e projektit. “Nuk dëgjova prej tyre që ky investim duhej të ndalej. Por ndjeva shqetësim që; aman mos të ndalet, aman mos ta humbasim këtë gjë!”, citohet Rama.
Në mbrojtje të qëndrimit të tij, Kryeministri përmendi arritjet mjedisore të dekadës së fundit. Ai tha se “10 vite më parë flamingot vriteshin dhe haheshin, pyjet priteshin dhe zonat e mbrojtura ishin tokë pa zot.” Përkundrazi, theksoi ai, sot harta e zonave të mbrojtura është zgjeruar, Shqipëria ka marrë kryesimin e “Forest Europe” nga Suedia dhe liqeni i Shkodrës është përfshirë në UNESCO. Këto, sipas Ramës, janë dëshmi se “në Shqipëri nuk qeveris një forcë që abuzon dhe shkatërron, por kërkon të harmonizojë të dyja bashkë.”
Në lidhje me protestuesit, Rama i etiketoi ata si një “turmë biodiverse,” duke përfshirë “influencera që marrin para nga rrjetet sociale dhe nuk paguajnë asnjë kokërr leku taksë,” “delirantë me flamurin e lidhur në fyt,” si dhe “vajza dhe djem që shfryjnë pakënaqësitë e tyre.” Ai gjithashtu sugjeroi se disa nga ata që protestojnë mund të jenë pjesë e agjendave të huaja, duke përmendur “Izraelin që u fut kot në këtë mes,” “dy vëllezër që vinë nga Katari,” apo konkurrencë nga shtete të tjera.
Kryeministri paralajmëroi se protestat rrezikojnë të dëmtojnë rëndë turizmin shqiptar. “Kanë nisur shenja shqetësuese në Sarandë,” tha ai, duke theksuar se nëse kjo bëhet trend, Shqipëria do të humbasë shumë turistë këtë vit. “Mbase këtë doni? Mbase. Doni të jetoni me flamengot? 99% e atyre që i mbrojnë si kanë parë ndonjëherë me sy,” përfundoi Rama. Ai insistoi se projekti “do të bëhet,” pasi është “një e mirë e madhe për ekonominë tonë” dhe një “kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike.”
