Podujeva, pas Mitrovicës, hap parkingjet e shkollave për qytetarët
**Podujevë** – Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se oborret e disa shkollave do të vihen në dispozicion të qytetarëve për parkim automjetesh, me qëllim lehtësimin e trafikut. Ky vendim vjen në një periudhë kur qyteti përballet me një fluks të shtuar të automjeteve, sidomos me ardhjen e mërgatës për pushimet e verës.
Bulliqi theksoi se ky hap synon të krijojë hapësira shtesë parkimi dhe të kontribuojë në një menaxhim më efikas të lëvizjes në qytet.
Shkollat, parkingjet e të cilave do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Podujevës, janë: IAAP “Isa Boletini”, SHFMU “Enver Maloku”, SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova”, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” dhe IAAP “Fan S. Noli”.
Një vendim i ngjashëm është marrë më parë edhe nga kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, duke iu përgjigjur rritjes së numrit të automjeteve me ardhjen e bashkatdhetarëve.
