Neda Balluku, pas ndarjes, kërkon ndjesë publike për iluzionin e krijuar rreth familjes
Neda Balluku ka bërë një rrëfim të sinqertë në rrjetet sociale, duke u kërkuar ndjesë publike ndjekësve për perceptimin që ka krijuar ndër vite rreth jetës së saj familjare.
Përmes një postimi të gjatë reflektues, Balluku pranoi se për vite me radhë kishte përcjellë imazhin e një martese ideale, ndërkohë që realiteti jashtë vëmendjes publike ishte krejt ndryshe.
“Mbase gënjeva,” shkroi ajo, duke saktësuar se nuk ishin gënjeshtra të qëllimshme, por një nevojë e brendshme për të besuar vetë se kishte arritur të ndërtonte diçka të bukur.
Ajo theksoi se përmes përmbajtjes së publikuar, kishte lënë të kuptohej më shumë sesa tregonte të vërtetën, duke krijuar një iluzion publik me shpresën se ajo që dëshironte të shfaqte, ndoshta do të bëhej realitet.
Balluku kërkoi falje për mungesën e sinqeritetit rreth jetës private, megjithatë rikonfirmon besimin e saj te forca e një partneriteti të shëndetshëm.
Ky reagim i fortë emocional vjen disa muaj pas ndryshimeve të rëndësishme në jetën e saj personale.
Neda Balluku dhe Ogren Ylli u njohën në vitin 2010 gjatë edicionit të katërt të “Big Brother Albania”. Historia e tyre e dashurisë vazhdoi edhe pas përfundimit të programit, duke kulmuar në martesë në vitin 2015. Nga kjo marrëdhënie erdhën në jetë tre fëmijë: djemtë Serzh e Zai dhe vajza Suzie Ann.
Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar, pas aludimeve të shumta për krizë, Neda konfirmoi publikisht në emisionin “Goca dhe Gra” se ajo dhe Ogreni kishin nisur procesin e divorcit pas rreth 10 vitesh martesë. Me lot në sy, ajo zbuloi se kishte qenë vetë ajo që kishte kërkuar ndarjen, pasi marrëdhënia nuk ishte më e shëndetshme dhe prej kohësh ata jetonin të ndarë, duke pasur si prioritet mirëqenien e fëmijëve.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Neda theksoi se tashmë po bëhet gati një vit që përballet me sfida të ndryshme rreth jetës së saj të re, por falënderoi publikun për mbështetjen, hapësirën dhe dashurinë e pakursyer gjatë gjithë kësaj periudhe.
