Lëvizja Vetëvendosje do të votojë pro kandidatit që do të propozojë Partia Demokratike e Kosovës për nënkryetar të Kuvendit në seancën e së hënës. Zhvillimi vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkoi që të bëhet “sa më parë” emërimi i nënkryetarit të grupit të dytë më të madh në Parlament.
Gazeta Express
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, dje ka konfirmuar se do t’ia japin votën të propozuarit të PDK’së pasi kishin kundërshtuar Vlora Çitakun në fillim të muajit.
“E kemi bërë të qartë tashmë se e njohim të drejtën e PDK’së që të propozojnë dhe kjo për të pasë institucione krejtësisht funksionale”, tha Nagavci para gazetarëve.
Lëvizja Vetëvendosje më 11 shtator në njërën nga vazhdimet e seancave konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk ia dha votën kandidates së PDK’së për nënkryetare Kuvendi me pretendimin se nuk votojnë persona që duan ta çojnë vendin në zgjedhje.
Vetëvendosje aludoi në qëndrimin e Çitakut dhe partisë së saj për të mos e votuar kandidatin e dakorduar mes VV’së dhe LDK’së për President, duke akuzuar atë se po e synon dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
Pasi u votua nënkryetari nga radhët e Vetëvendosjes, Ardian Gola, edhe me votat e PDK’së e LDK’së, Çitaku dështoi të zgjidhej.
Kjo shtyu deputetët e PDK’së të lëshojnë sallën dhe të bojkotojnë seancat për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e seancës konstituive.
Pas dështimit të Çitakut, LDK’ja refuzoi të hidhte në propozim deputetin Kujtim Shala, për të cilin po ashtu Vetëvendosje kishte deklaruar se nuk e votojnë.
Pa vonuar shumë, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se kishte ndërruar qëndrim dhe se tashmë do t’ia votonte edhe Çitakun PDK’së edhe Shalën LDK’së.
Por, PDK s’lëvizi nga qëndrimi për t’iu drejtuar Kushtetueses.
Në seancën pasuese Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar bashkë me dy nënkryetarët nga komunitetet joshumicë. Nënkryetarja e Listës Srpska u zgjodh pasi në votim u hodhën të gjithë deputetët e kësaj partie, tetë prej të cilëve Vetëvendosje s’iu dha votë, përveçse të fundit.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shpalli Kuvendin të konstituuar me gjithë dyshimet se në mungesë të një nënkryetari Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje më pas formoi edhe Qeverinë e re derisa në Parlament ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Listës Srpska dhe pakicave të tjera.
Kjo u bë subjekt i Gjykatës Kushtetuese, duke iu bashkuar lëndës së dërguar për kushtetshmërinë e Kuvendit.
Kushtetuesja në vendimin e saj të fundit e shpalli të konstituuar Kuvendin, ndërsa tha se nënkryetari i grupit të dytë parlamentar duhet të zgjidhet “sa më parë”.
Gjykata po ashtu tha se afati për zgjedhjen e Presidentit kishte nisur të rrjedhë qysh në datën kur do të duhej të përmbyllej konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues, nga 8 gushti. Tanimë Presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhet deri më 6 tetor ose vendi shkon në zgjedhje
