**Origjina gjeologjike e pasurive naftore të Iranit dhe Ngushticës së Hormuzit**

Rreth 35 milionë vjet më parë, pllaka tektonike arabe filloi të përplasej me pllakën euroaziatike. Kjo shkaktoi tkurrjen e Oqeanit parahistorik Tethys, i cili dikur ndante superkontinentet Laurasia dhe Gondwana.

Laurasia më vonë u shndërrua në Amerikën e Veriut, Evropë dhe pjesë të Azisë, ndërsa Gondwana u shpërbë në Amerikën e Jugut, Afrikë, Antarktidë, Australi dhe Indi. Megjithatë, deti i lashtë nuk u zhduk tërësisht, pasi një relikt i tij ekziston edhe sot në formën e Ngushticës së Hormuzit.

Ekspertët theksojnë se i njëjti proces gjeologjik që krijoi këtë rrugë ujore jetike — një pikë kyçe e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit — është edhe ai që fillimisht i dha rajonit pasuritë e tij naftore, shkruan CNN.

Sipas National Geographic, ndërsa pllaka arabe lëvizte më tej nën atë euroaziatike, dy pllakat u përplasën dhe u deformuan, duke krijuar malet Zagros — një varg mbresëlënës majash malore që ende ndodhen në Iran. Pesha e këtyre maleve shtypi një pjesë të pllakës arabe, duke çuar në formimin e ngushticës.

Për qindra miliona vjet, përpara përplasjes së pllakës arabe me Euroazinë, ajo ndodhej nën nivelin e detit, duke krijuar mjedisin ideal për formimin e naftës bruto, sipas National Geographic. Kjo ndodh sepse, kur kafshët dhe bimët në mjediset detare ngordhin, mbetjet e tyre bien në fund të shtratit detar, duke u vendosur mes shtresave të llumit dhe rërës. Më pas, gjatë miliona viteve dhe nën ndikimin e nxehtësisë dhe presionit të madh, këto mbetje shndërrohen në atë që ne e njohim si naftë bruto.

Rëndësinë strategjike të ngushticës e dëshmon edhe Tim Marshall, autor i librit bestseller “Të burgosurit e gjeografisë”. Ai thekson se: “Mund të kesh ushtrinë më të fuqishme që ka parë ndonjëherë bota, por në rrugën e saj do të qëndrojë natyra”. Në mars, ai shkroi gjithashtu se: “Nuk është çudi që asirianët e quanin Gjirin Persik ‘Deti i Hidhur’”.