Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vijuar edhe sot aksionin e saj para ndërtesës së Qeverisë, duke synuar të pengojë hyrjen e kryeministrit të propozuar, Albin Kurti, dhe ministrave të tij. PDK-ja i ka dërguar një mesazh të qartë zotit Kurti, duke e akuzuar atë se po e mban peng shtetin për llogaritjet e tij individuale dhe partiake.
Deputetëve të PDK-së, të cilët qëndruan para hyrjes së objektit, u është bashkuar edhe Rinia Demokratike e Kosovës.
Në një deklaratë për media, PDK theksoi se edhe sot, së bashku me Rininë Demokratike të Kosovës, ishin para Qeverisë. “Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua individuale dhe partiake!”, ishte mesazhi i tyre.
Një ditë më parë, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, kishte theksuar se qëllimi i aksionit ishte pengimi i hyrjes së Kurtit në Qeveri, të cilën ajo e akuzoi se po e “mban peng”.
Hoxha kishte deklaruar se Kurti, në vend që të sabotojë Kuvendin, duhet të marrë pjesë në seancë për të mundësuar konstituimin e tij. “Kjo është puna e tij parësore si fitues i zgjedhjeve të fundit, të propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, kishte shtuar ajo. Ajo e akuzoi Kurtin dhe ministrat e tij se kanë “uzurpuar pozitat dhe institucionet”.
Ndërkohë, PDK-ja i ka kërkuar kryesuesit më të moshuar të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës sot, më 18 gusht, në orën 11:00.
PDK ka theksuar nevojën që zoti Dehari të veprojë në kuadër të rolit të tij procedural, duke mundësuar vazhdimin e seancës dhe konstituimin e institucionit ligjvënës. Në kërkesën e tyre, PDK citoi: “Z. Dehari, thirreni seancën. Deputetët janë zgjedhur për të qenë në Kuvend, jo për të pritur vullnetin politik të askujt. Nesër, në orën 11:00, PDK do të jetë në sallë”.
Aksioni i PDK-së para objektit të Qeverisë ka filluar një ditë më parë, me synimin e deklaruar për të penguar hyrjen e kryeministrit të propozuar, Albin Kurti, në ndërtesë.
