Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka vlerësuar përmbushjen e kritereve për hapjen e Urës së Ibrit si një zhvillim thelbësor që shënon një kapitull të ri për Mitrovicën dhe Kosovën.

Ai theksoi se ky moment “përfundimisht varros idenë e krisur për ndarjen e veriut”, duke e cilësuar atë si një ngjarje historike përtej kufijve të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Peci bëri të ditur se kriteret për hapjen e urës janë përmbushur falë këmbënguljes përballë pengesave dhe trysnisë.

Ai kujtoi gjithashtu zotimin e dhënë gjatë fushatës së fundit, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, për hapjen e një kapitulli të ri për Mitrovicën.

Në fund, kryetari i Mitrovicës uroi qytetarët dhe gjithë Kosovën për këtë arritje.