Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka theksuar nevojën për maturi, strategji dhe përgjegjësi shtetërore nga ana e Kosovës, duke paralajmëruar për një rrezik juridik më të madh dhe një situatë më të ndjeshme në dialog, veçanërisht lidhur me zhvillimet në veri.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Gashi shkroi se situata faktike në veri ka ndryshuar dhe se detyra e vendit është “ruajtja e këtij status quo-je të ri, përmirësimi i tij dhe forcimi i pozitës juridike të Kosovës.” Ai shtoi se kjo qasje, e cila më parë ishte kundërshtuar edhe nga brenda partisë, sot dëshmon rrezikun.
Sipas Gashit, aktualisht “rreziku juridik është më i madh se më parë,” ndërsa bisedimet janë “më të ndjeshme dhe më të rrezikshme.” Ai paralajmëroi gjithashtu se ndryshimet në arkitekturën e sigurisë botërore do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë.
Përballë këtyre sfidave, deputeti i LDK-së theksoi se Kosovës “i duhet maturi, strategji dhe përgjegjësi shtetërore.” Ai shtoi se duhet “ruajtur ajo që është arritur, forcuar pozita jonë juridike dhe ndërkombëtare, si dhe të jemi të përgatitur për çdo zhvillim.”
Në këtë kontekst, Gashi theksoi rëndësinë jetike të marrëdhënieve me aleatët. “Raportet speciale me aleatët nuk janë luks politik, por interes jetik dhe garanci e sigurisë së Kosovës,” u shpreh ai.
Përmbyllja e mesazhit të Gashit ishte një thirrje për udhëheqje shtetërore me vizion. “Në kohë pasigurie, shteti nuk udhëhiqet me emocione, por me vizion, maturi dhe guxim,” theksoi ai, duke shtuar se Kosovës i duhen institucione të fuqishme, me vizion të qartë dhe program konkret politik, ekonomik dhe të sigurisë. Ai përfundoi se “Kosova nuk ka nevojë për improvizim, por për një shtet që mendon përpara, parashikon rreziqet dhe di t’i mbrojë interesat e veta.”
