**New York Times Shkarkon Gazetarin Pasi Përdori AI dhe Plagjiaturë për Recension Libri**

“The New York Times” ka ndërprerë bashkëpunimin me një gazetar të jashtëm, Alex Preston, pasi zbuloi se ai kishte përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të shkruar një recension libri. Ky recension përmbante elemente të ngjashme me një tjetër, të botuar në gazetën britanike “The Guardian”.

Rasti u bë i ditur pasi një lexues i “New York Times” vuri re ngjashmëri të dukshme midis recensionit të shkruar nga Preston në janar, për librin “Watching Over Her” të Jean-Baptiste Andrea, dhe atij të botuar në gushtin e vitit të kaluar në “The Guardian”, shkruar nga Christobel Kent.

Pas një hetimi të brendshëm, Preston pranoi se kishte përdorur AI-në për të asistuar në shkrimin e recensionit dhe se nuk kishte vënë re pjesët e marra nga artikulli i “The Guardian” para dorëzimit. Në një deklaratë për “The Guardian” të martën, Preston shprehu turpin e tij të thellë, duke e cilësuar veprimin si “një gabim serioz”.

“New York Times” e njoftoi “The Guardian” për ngjashmëritë dhe shtoi një shënim redaksional te recensioni origjinal, duke pranuar përdorimin e AI-së dhe duke cituar artikullin e “The Guardian”.

“Një lexues njoftoi së fundmi ‘Times’ se ky recension përfshinte gjuhë dhe detaje të ngjashme me ato të një recensioni të të njëjtit libër të botuar në ‘The Guardian’,” thuhet në shënimin redaksional. “Ne biseduam me autorin e këtij shkrimi, një recensues i jashtëm, i cili na tha se kishte përdorur një mjet AI që kishte përfshirë materiale nga recensioni i ‘Guardian’ në draftin e tij, të cilat ai nuk arriti t’i identifikonte dhe t’i hiqte. Mbështetja e tij te AI dhe përdorimi i punës së një autori tjetër pa citim përbëjnë një shkelje të qartë të standardeve të ‘Times’.”

Ndër gjuha dhe detajet që dyshohet se janë marrë nga recensioni i “The Guardian” përfshihen përshkrimet e personazheve – për shembull, “Stefano makiavelian dhe dembel” shfaqet si “Stefano dembel, makiavelian” në versionin e “New York Times” – si dhe vlerësimi përfundimtar i romanit. Recensioni i “The Guardian” e cilëson librin “mbi të gjitha një këngë dashurie për një vend kontradiktash, të goditur, të shkatërruar nga lufta, të përçarë, të gabuar dhe të mrekullueshëm: një Itali ku jeta është kostum dhe performancë arti, dhe ku cirqet lindin në toka të braktisura”. Ndërsa versioni i “New York Times” thotë se personazhet “popullojnë atë që në fund është një këngë dashurie për një vend kontradiktash: i goditur, i përçarë, i gabuar dhe i mrekullueshëm. Kjo është një Itali ku jeta është performancë, ku cirqet ngrihen në toka të braktisura.”

Një zëdhënës i “New York Times” i konfirmoi “The Guardian” se Alex Preston nuk do të shkruajë më për gazetën. Preston kishte shkruar gjashtë recensione për “New York Times” që nga viti 2021, por theksoi se nuk kishte përdorur AI për artikujt e tjerë.

“Bëra një gabim serioz duke përdorur një mjet AI në një draft recensioni që kisha shkruar dhe nuk arrita të identifikoj dhe heq gjuhën e mbivendosur nga një recension tjetër që AI kishte përfshirë,” tha Preston në deklaratën e tij për “The Guardian”. “Jam jashtëzakonisht i turpëruar për atë që ndodhi dhe sinqerisht më vjen keq. Mora përgjegjësinë menjëherë dhe kërkova falje ndaj ‘New York Times’, dhe dua gjithashtu t’i kërkoj falje Christobel Kent dhe ‘The Guardian’.”

Preston ka një karrierë të gjerë si shkrimtar, duke kontribuar për “The Observer”, “Financial Times”, “The Guardian” dhe “The Economist”. Ai është autor i gjashtë librave dhe drejtues i departamentit të këshillimit në firmën e menaxhimit të investimeve “Man Group”. Ironikisht, më herët këtë vit, ai kishte shkruar një artikull për faqen e “Man Group” me titullin “The AI Bubble: Hidden Risks and Opportunities” (Flluska e AI: Rreziqe dhe Mundësi të Fshehura).