**Homazhe në Slivovë të Ferizajt, shënohet 145-vjetori i rënies heroike të Mic Sokolit**
Në fshatin Slivovë të komunës së Ferizajt u shënua me homazhe 145-vjetori i rënies heroike të heroit kombëtar, Mic Sokoli.
Aktiviteti, i organizuar nga Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Dëshmorëve të Tropojës, mblodhi përfaqësues institucionalë, familjarë të heroit, qytetarë dhe nxënës të shkollës fillore “Mic Sokoli”, e cila njëherazi kremtoi edhe Ditën e saj.
Gjatë ceremonisë, u vendosën kurora lulesh dhe u bënë homazhe pranë vendit përkujtimor të Mic Sokolit. Ai njihet për sakrificën e tij heroike në Betejën e Slivovës, ku dha jetën për lirinë e vendit.
Në njoftimin e komunës theksohet se përkujtimi shërbeu si një moment thelbësor reflektimi mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe vlerave kombëtare. Gjithashtu, ai u kthye në një thirrje për edukimin dhe frymëzimin e brezave të rinj me shembujt e sakrificës dhe atdhedashurisë.
