Debat i ndezur në gjykatë gjatë dëshmisë së Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt

**Prishtinë** – Dëshmia e të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla, në seancën gjyqësore është shoqëruar me debat të ashpër mes palës mbrojtëse të të pandehurve dhe avokatit të familjes së viktimës. Shkaku i debatit ishte përmendja e Leonardit, vëllait të Liridonës.

Sipas raportimeve, debati nisi kur Kokalla, duke folur për pjesëmarrjen e tij në varrim dhe marrëdhëniet me familjen Ademaj, përmendi emrin e Leonardit, duke theksuar lidhjet familjare dhe raportet e mëhershme mes tyre.

“Po, kam marrë pjesë (në varrim). Kam takuar Naimin dhe të gjithë familjarët e Naimit. Të gjithë kemi qenë bashkë. Me familjen e të ndjerës kemi 60 vite miqësi dhe kemi pasur raporte të mira. Kurrë diçka të keqe mes vete nuk kemi pasur. Por sot nuk po e shoh Leonardin këtu që t’i them se Liridona ishte tezake e imja (gruaja e Naimit), dhe falë meje ai (Leonardi) sot është martuar e është prind,” deklaroi ai.

Kjo deklaratë shkaktoi reagime në sallë, të cilat çuan në debat mes palës mbrojtëse dhe avokatit të familjes së viktimës.

Kokalla sqaroi më tej lidhjet e tyre familjare, duke shtuar: “Halla ime është gruaja e parë e Hajdarit, Hajdari është babai i Leonardit (vëllait të Liridonës), i cili ka dy gra.”

Në vijim të seancës, avokati pyeti të akuzuarin nëse i ishin ofruar ndonjëherë para për vrasjen e Liridonës.

“Nuk më kujtohet që më ka bërë ofertë për vrasjen e gruas së tij,” u përgjigj Kokalla.

Avokati, Dodaj, i rikujtoi më pas deklarimin e tij të mëparshëm në polici, ku Kokalla kishte thënë se i ishin ofruar para, por nuk i kishte pranuar.

“A ju ka ofruar ndonjë shumë të parave Naimi dhe a keni pranuar para në lidhje me këtë rast? Ju jeni përgjigjur: ‘Para më janë ofruar për këtë rast, por unë nuk kam pranuar as para as pas rastit’,” citoi avokati.

I akuzuari konfirmoi këtë deklaratë, duke shtuar se dëshmia e tij nuk ishte përfshirë e plotë në procesverbal.

“Më kujtohet kjo deklaratë. Unë kam deklaruar më gjatë në polici, por ata nuk e kanë vendosur në procesverbal,” tha ai.