**Borxhi 45 milionë euro, KRU Prishtina: Pagesa e ujit mban shërbimet bazë, është koha për veprim**

Korporata Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka apeluar sërish te qytetarët për pagesën e rregullt të faturave të ujit, duke theksuar se kompania po përballet me një borxh kolosal prej 45 milionë eurosh.

Sipas KRU “Prishtina”, pagesat në kohë janë thelbësore dhe paraqesin një kontribut të drejtpërdrejtë për funksionimin e qëndrueshëm të shërbimit. Në një reagim të lëshuar, kompania ka adresuar drejtpërdrejt qytetarët, duke shtruar pyetje kritike dhe duke bërë thirrje për ndërgjegjësim.

“Shteti mbahet duke paguar shërbimet bazë, siç është uji. Megjithatë, përballë një borxhi prej 45 milionë eurosh për këtë shërbim jetik, lind pyetja: çfarë po bëjmë ne? A do të vazhdojmë të presim duarkryq, apo do të marrim përgjegjësi si qytetarë? Pagesa e rregullt e ujit nuk është vetëm obligim, por edhe kontribut i drejtpërdrejtë për një sistem funksional, për furnizim të qëndrueshëm dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Është koha për veprim”, thuhet në deklaratën e KRU Prishtina.

Burimi: Express