Kryetari Rama prezanton Prishtinën në mediat prestigjioze ndërkombëtare
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë së fundmi disa intervista për media ndërkombëtare të njohura, duke folur për kryeqytetin, historinë e tij dhe zhvillimet e fundit. Këto angazhime mediatike synojnë promovimin e Prishtinës dhe Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari Rama bëri të ditur se ishte intervistuar nga Chris Leadbeater, korrespondent i gazetës britanike “The Telegraph”. Me të, ai diskutoi për Prishtinën si një destinacion që vlen të vizitohet.
Gjithashtu, Rama priti në zyrën e tij gazetarin britanik Christian Jennings, i cili ka jetuar dhe raportuar nga Kosova për media të shquara si “Reuters”, “The Economist” dhe “The Guardian”.
Ndërkaq, kryetari Rama zhvilloi edhe një intervistë me Bronwyn Jones, gazetare e agjencisë “Rapporteur”, me seli në Bruksel.
Ai theksoi se qëllimi i këtyre intervistave është që Prishtina dhe Kosova të prezantohen sa më mirë para publikut ndërkombëtar, duke rritur njohjen dhe interesin për to.
