**BE-ja kërkon respektimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë nga Kosova dhe Serbia pas ndalimit të tregtisë së energjisë**

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të respektojnë detyrimet e tyre sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompani serbe. Ky vendim i Prishtinës, i marrë në fillim të javës së kaluar, erdhi si pasojë e bllokimit të linjave ndërkufitare tregtare nga ana e Serbisë për gati shtatë vjet.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi se BE-ja pret që “si Kosova, ashtu edhe Serbia të veprojnë në përputhje me rregullat dhe normat në fuqi, si dhe zotimet ekzistuese sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke përfshirë ato që lidhen me tregtimin e energjisë elektrike dhe ndarjen e kapaciteteve ndërkufitare.”

Zëdhënësi shtoi se Serbia “ende duhet të trajtojë Vendimin 2025/02/MC të Komunitetit të Energjisë dhe të rregullojë çështjet që lidhen me ndarjen e kapaciteteve në kufirin e zonës së ofertimit me Kosovën.” Respektimi i këtyre rregullave, sipas BE-së, është në interes të aktorëve të tregut, sistemeve energjetike rajonale dhe konsumatorëve fundorë të energjisë elektrike.

BE-ja theksoi angazhimin e saj për të “promovuar bashkëpunimin në përputhje me Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë.” Ajo rikujtoi gjithashtu se “zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, është kusht thelbësor që si Kosova, ashtu edhe Serbia të shënojnë progres në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar se vendimi për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompani serbe është një kundërmasë, pasi Serbia nuk ka zbatuar kërkesën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për zhbllokimin e dy linjave 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, kërkesë e cila duhej të ishte zbatuar që më 1 korrik. Masat e reja përfshijnë ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt, përmes tranzitit apo rishitjes.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk ka specifikuar ende cilat kompani serbe mund të jenë të përfshira në këtë tregti. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e importit të energjisë elektrike për këtë vit, deri në muajin tetor, ka shënuar 205 milionë euro.