Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka adresuar Parlamentin para fillimit të seancës, ku theksoi rëndësinë e ngjarjeve dhe personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë së Kosovës.

Haxhiu foli edhe për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se rrënjët e saj lidhen ngushtë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe sakrificën sublime të dëshmorëve.

“Jemi në ditët e rëndësishme të nëntorit. Nesër është Dita e FSK-së, një forcë që i ka rrënjët te UÇK-ja, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo kujtoi gjithashtu ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan kalimin e rezistencës së armatosur në një luftë të hapur kundër forcave serbe.

Në fjalën e saj, Haxhiu adresoi edhe situatën e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, duke kërkuar drejtësi dhe lirimin e tyre.

“Teksa kujtojmë ngjarjet, jemi pranë krerëve të UÇK-së, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë. Ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe të lirohen sa më parë”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.