**Rishfaqen tensionet në Egje: Turqia shpall zona të mbrojtura detare, Athina reagon ashpër**
Periudha e qetësisë në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë, e cila zgjati më pak se tre vjet, duket se po merr fund. Pas tërmetit shkatërrues në Turqi në shkurt të vitit 2023 dhe mbështetjes së menjëhershme të Greqisë, të dy vendet fqinje shfaqën shenja afrimi. Në dhjetor 2023, ata nënshkruan Deklaratën e Athinës për marrëdhënie miqësore dhe fqinjësi të mirë, një hap që pati një ndikim pozitiv, por efekti i së cilës duket se tashmë është zbehur.
Gjatë kësaj periudhe relative qetësie, qeveritë e të dy vendeve nuk ndërmorën hapat e nevojshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe, veçanërisht ato që lidhen me përcaktimin e kufijve detarë. Për këtë arsye, edhe një masë që teorikisht synon mbrojtjen e mjedisit, si krijimi i parqeve detare, mund të shndërrohet sërish në burim tensionesh.
Shkaku i tensioneve të reja është shpallja nga Turqia, më 15 gusht, e dy zonave të mbrojtura detare, të ashtuquajtura parqe detare, në Detin Egje dhe në Mesdheun Lindor. Njëra prej tyre, në verilindje të Egjeut, përfshin një zonë midis ishujve grekë Limnos dhe Samothraki. Zona e dytë, në jug, ndodhet në lindje të Rodosit dhe rrethon ishullin grek të Kastelorizos.
Greqia dhe Turqia janë prej dekadash në mosmarrëveshje lidhur me përcaktimin e kufijve të tyre detarë në Detin Egje, si dhe me të drejtat ekonomike dhe pretendimet mbi burimet natyrore, si nafta. Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë reagoi menjëherë pas njoftimit, duke e cilësuar krijimin e këtyre zonave si “të paligjshëm”. Në deklaratën e saj, thuhet se shpallja e rezervateve detare nga Turqia në zona që ndodhen jashtë ujërave territoriale turke nuk ka asnjë vlefshmëri juridike.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis theksoi gjatë mbledhjes së kabinetit më 24 gusht se dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira fqinjësore. Megjithatë, ai nënvizoi se “zonat nën sovranitetin grek përcaktohen nga e drejta ndërkombëtare” dhe shtoi se Greqia është “gjithmonë e gatshme t’i mbrojë ato”.
**Garë për mbrojtjen e deteve apo demonstrim dominimi?**
Pak më shumë se një vit më parë, Greqia njoftoi krijimin e dy zonave të mbrojtura detare në Ishujt Jonianë dhe në Cikladet jugore, por brenda ujërave të saj territoriale. Në atë kohë, Turqia deklaroi se “masat e njëanshme duhet të shmangen në dete të mbyllura ose gjysmë të mbyllura, si Deti Egje dhe Mesdheu.” Megjithatë, tani Turqia vetë shpalli zona të mbrojtura detare pa konsultime paraprake. Parqet detare janë zona të mëdha të mbrojtura në det, krijuar për të ruajtur ekosistemet detare të ndjeshme. Megjithatë, në vështrim të parë, duket se për të dyja vendet, shpallja e këtyre zonave ka të bëjë vetëm në një masë të kufizuar me mbrojtjen e natyrës.
Nëse do të ishin vërtet të shqetësuara për faunën detare në Mesdheun ekologjikisht të ndjeshëm, Greqia dhe Turqia me siguri do të kishin gjetur një mënyrë për të vepruar së bashku për mbrojtjen e saj. Në vend të kësaj, shpallja e parqeve detare duket të jetë një taktikë e re për të demonstruar dominimin në këtë hapësirë detare të kontestuar, duke shënuar kapitullin më të fundit të mosmarrëveshjes dekadave në Detin Egje.
**Doktrina “Mavi Vatan” (Atdheu Blu)**
Greqia është e bindur se Turqia i konsideron zonat e mbrojtura detare si një mjet për të vënë në pikëpyetje të drejtat sovrane të ishujve grekë. Athina druhet se shpallja e dy zonave të reja është pjesë e doktrinës revizioniste turke “Mavi Vatan” (Atdheu Blu). Përmes kësaj doktrine, Turqia ngre pretendime mbi Zonat Ekskluzive Ekonomike (ZEE) të Greqisë dhe Qipros, pra hapësirat detare ku një shtet bregdetar gëzon të drejta të veçanta, si për shembull ato për peshkimin ose shfrytëzimin e burimeve natyrore. Krahas kësaj, Ankaraja vë në diskutim edhe sovranitetin mbi një numër të madh ishujsh dhe ishujsh të vegjël grekë. Deri më tani, kjo doktrinë ka pasur kryesisht karakter teorik dhe strategjik, por po avancon përmes nismave ligjore në parlamentin turk. Me këtë, Turqia synon të formalizojë pretendimet e saj për një kontroll më të madh mbi pjesë të Detit Egje dhe të Mesdheut Lindor.
**Kërcënimi i përhershëm dhe aleancat strategjike**
Greqia është e kënaqur me status quo-në në Detin Egje, por ndihet e kërcënuar nga Turqia, e cila është e pakënaqur me gjendjen aktuale dhe disponon një forcë ushtarake dukshëm më të madhe. Për këtë arsye, Greqia po investon ndjeshëm në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake, përfshirë avionë luftarakë, fregata, nëndetëse dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Greqia u rendit në vendin e 19-të në botë ndër importuesit më të mëdhenj të armëve të rënda gjatë periudhës 2021-2025, duke treguar një rritje të konsiderueshme.
Edhe kur Athina krijon aleanca të reja ose forcon ato ekzistuese, faktori turk luan gjithmonë një rol të rëndësishëm. Kështu, në vitin 2021, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës greke, qeveria greke dërgoi raketa kundërajrore Patriot në Arabinë Saudite për të mbrojtur rafineritë saudite nga sulmet e rebelëve Huthi. Kjo ndodhi në një periudhë kur Arabia Saudite dhe Turqia ishin në konflikt politik. Gjatë një vizite shtetërore tek princi i kurorës saudit, Mohammed bin Salman, kryeministri Kyriakos Mitsotakis iu referua shprehimisht rolit të Turqisë, duke e cilësuar atë si “destabilizues dhe kundërproduktiv”.
Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Riadit janë përmirësuar ndërkohë. Turqia ka nënshkruar së bashku me Arabinë Saudite dhe Pakistanin Paktin e Mbrojtjes së Mekës, një marrëveshje e rëndësishme për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
Në kuadër të sfidave që paraqet Turqia, Greqia ka zhvilluar edhe një bashkëpunim strategjik me Izraelin. Pavarësisht kritikave të forta brenda Greqisë për shkak të situatës katastrofike humanitare në Rripin e Gazës, kryeministri Kyriakos Mitsotakis vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ministria Greke e Mbrojtjes shikon me admirim teknologjinë ushtarake izraelite dhe po planifikon krijimin e një sistemi mbrojtës mbi Detin Egje, sipas modelit të “Iron Dome” (Kupolës së Hekurt) izraelite. Ky projekt, i quajtur me pompozitet “Mburoja e Akilit”, synon të mbrojë vendin nga çdo lloj kërcënimi të mundshëm, përfshirë edhe ato që mund të vijnë nga fqinjët. Sipas planeve, sistemi pritet të jetë plotësisht funksional duke filluar nga viti 2029.
Deri më tani, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka ruajtur një ton pajtues ndaj Turqisë. Megjithatë, zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Greqi, të cilat pritet të mbahen më së vonë në pranverën e vitit 2027, mund të rrisin tundimin për Mitsotakisin që të paraqitet si një patriot i vendosur dhe të ashpërsojë ndjeshëm retorikën ndaj Turqisë.
