**Operacion masiv në Florida: Gjehen 163 fëmijë të zhdukur pas pesë ditësh kërkime**
Autoritetet në Florida kanë përfunduar një operacion pesëditor në shkallë shtetërore, gjatë të cilit janë gjetur dhe kthyer në siguri 163 fëmijë të zhdukur, duke filluar nga foshnja dy muajshe deri te të mitur 17-vjeçarë.
Operacioni, i quajtur “Operation Statewide Shield”, u krye nga disa agjenci ligjzbatuese në të gjithë shtetin. Ai u cilësua nga autoritetet si nisma e parë gjithë-shtetërore për gjetjen e fëmijëve dhe operacioni më i madh i këtij lloji në historinë e Floridës.
Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, bëri publik rezultatet e operacionit më 25 gusht.
Sipas autoriteteve, fëmijët u gjetën në zona të ndryshme të Floridës, por edhe jashtë shtetit dhe jashtë kufijve të SHBA-së. Autoritetet theksuan se një pjesë e fëmijëve kishin përjetuar abuzim, neglizhencë, shfrytëzim ose ishin ekspozuar ndaj veprimtarive të tjera kriminale.
Pas gjetjes, fëmijët u dërguan në qendra të specializuara shpëtimi, ku iu ofrua mbështetje nga shërbimet sociale, specialistët e mirëqenies së fëmijëve, mjekët, avokatët e viktimave dhe organizata të tjera të specializuara. Në kujdesin e tyre u përfshinë edhe organizata jofitimprurëse dhe institucione shëndetësore, përfshirë BayCare.
Autoritetet njoftuan se dosjet e çdo fëmije u mbyllën në sistemin shtetëror të informacionit për personat e zhdukur dhe në rrezik, ndërsa çështjet e kujdestarisë u referuan Departamentit të Fëmijëve dhe Familjeve dhe Departamentit të Drejtësisë për të Miturit në Florida.
Gjatë operacionit u kryen edhe arrestime. Sipas autoriteteve, tre persona janë arrestuar, ndërsa hetuesit paralajmërojnë për arrestime të tjera në ditët në vijim.
Michael Corey Prescott u akuzua për tre akuza për akte seksuale me të mitur, rrahje të rëndë dhe sulm të rëndë. Ai kishte gjithashtu një urdhër-arresti të vlefshëm për ndërhyrje në çështje kujdestarie fëmijësh. Robert Ferral Allison u arrestua nën akuzën për marrëdhënie seksuale.
