Jennifer Aniston në kulmin e lumturisë: Lidhja me Jim Curtis thellohet dhe bëhet publike

Jennifer Aniston, e njohur për diskrecionin e saj në jetën private, duket se po bën një përjashtim me lidhjen e saj me Jim Curtis. Pas më shumë se një viti së bashku, çifti është gati të ndërmarrë një hap të ri, këtë herë në sy të publikut.

Më 2 shtator, Aniston do të intervistojë partnerin e saj gjatë një aktiviteti në “92nd Street Y” në Manhattan, para botimit të librit të tij të ri.

Burime pranë çiftit theksojnë se ata janë ende “shumë, shumë të lumtur”, ndërsa martesa nuk duket të jetë në planet e tyre të afërta. Për Aniston, kjo është marrëdhënia e tretë serioze pas dy martesave të saj të mëparshme: me Brad Pitt (2000-2005) dhe Justin Theroux (2015-2018).

Një burim pranë çiftit shton se kjo marrëdhënie po funksionon në shumë plane për aktoren, pikërisht sepse i ka sjellë diçka të paprovuar më parë. “Ajo nuk ndihet sikur duhet të përpiqet ta impresionojë apo ta mbajë pranë vetes. Nuk ndihet sikur duhet të konkurrojë me gra të tjera më të famshme që mund të kenë interes për të”, tha burimi. Mbi të gjitha, Aniston nuk i duhet më të pyesë veten për vendin e saj në këtë marrëdhënie. Sipas burimit, Curtis nuk heziton t’i shprehë dashurinë dhe përkushtimin e tij të plotë.

Curtis ka treguar më herët se njohja e tyre filloi nëpërmjet miqve të përbashkët. “Na prezantuan thjesht miqtë”, ka rrëfyer ai, duke shtuar se pasi zbuluan miq të përbashkët, nisën të flisnin dhe gjithçka u zhvillua gradualisht. Dyshja u fotografua për herë të parë së bashku në korrik të vitit 2023, në ishullin e Majorkës, Spanjë. Më pas, lidhja e tyre u bë publike.

Curtis duket se është integruar edhe në rrethin e ngushtë të miqve të Aniston. Më 25 gusht, ai iu bashkua aktores dhe ish-kolegeve të saj nga seriali “Friends”, Courteney Cox dhe Lisa Kudrow, për një darkë në Los Anxhelos. Një burim pranë çiftit e përshkruan Curtis si një njeri që “nuk luan lojëra”, nuk shtiret si i paarritshëm dhe nuk përpiqet të duket më i rëndësishëm duke e bërë Aniston të ndihet inferiore. “Ai nuk ndihet aspak i kërcënuar nga fama e saj dhe nuk ka iluzione se duhet të ndryshojë botën e saj. Ai e do pikërisht për atë që ajo është”, tha burimi.

Edhe një burim tjetër pranë aktores ka thënë se Aniston ndihet “vërtet mirë” për lidhjen e saj me Curtis. Ajo ndihej rehat me jetën e saj edhe kur ishte beqare, por kjo marrëdhënie, sipas burimit, është ndryshe. Njerëzit që e njohin Aniston janë gjithashtu të lumtur për të. Një burim ka thënë se miqtë e saj mendojnë se kjo lidhje ka shumë mundësi të zgjasë dhe se Curtis mund të jetë “i duhuri” për të.

Në muajt e fundit, Aniston nuk ka hezituar të ndajë momente më personale me partnerin. Sipas një burimi, ajo është bërë më e hapur për lidhjen sepse ndihet e sigurt për atë që kanë dhe për drejtimin që po merr marrëdhënia. “Ai i ka sjellë kaq shumë lumturi dhe siguri sa ajo ndihet rehat ta ndajë këtë pjesë të jetës së saj. Duhet të jetë një njeri vërtet i veçantë që ajo të hapet sërish pas divorcieve të saj publike”, tha burimi. Një tjetër burim shtoi se Aniston më në fund ndihet mjaftueshëm e sigurt për të mos e fshehur lumturinë e saj. “Ajo po e thotë hapur se ai është njeriu i saj. Nuk do ta bënte këtë nëse nuk do të ishte e sigurt. Është lodhur duke e fshehur lumturinë e saj.”