Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka zbuluar se ylli i Premier League, Junior Kroupi, ka refuzuar ftesën për të luajtur me kombëtaren portugeze, duke zgjedhur të përfaqësojë Francën. Kjo deklaratë vjen pas shpalljes së skuadrës prej 26 lojtarësh të Portugalisë për Kupën e Botës.
Martinezi konfirmoi përpjekjet e pasuksesshme për të bindur sulmuesin e Bournemouthit. Në listën e Portugalisë, të publikuar të dielën, dominojnë lojtarët nga Premier League angleze, mes të cilëve Bruno Fernandes, Diogo Dalot, Matheus Nunes, Ruben Dias dhe Bernardo Silva, të cilët i bashkohen kapitenit Cristiano Ronaldo. Gjithashtu, janë përfshirë dyshja e Paris Saint-Germain, João Neves dhe Vitinha, ndërsa mesfushori i West Hamit, Matheus Fernandes, ka mbetur jashtë.
Megjithatë, një nga zbulimet kryesore të Martinezit ishte historia e Junior Kroupi. Sulmuesi 19-vjeçar ka shkëlqyer me “Cherries” (Bournemouth), duke shënuar 12 gola në Premier League si adoleshent dhe duke barazuar një rekord. Kroupi ka të drejtë të luajë për Portugalinë falë origjinës së nënës së tij, por ka lindur në Francë dhe ka lidhje familjare me Bregun e Fildishtë nëpërmjet babait të tij, Eli, ish-futbollist i atij vendi.
Sipas Martinezit, Kroupi ka refuzuar ofertën pasi ka vendosur të përfaqësojë Francën. “Para grumbullimit të marsit, ne e kontaktuam atë,” tha Martinezi. “Por një gjë është të kontaktosh lojtarët që mund të vishen me fanellën e Portugalisë, dhe tjetër është dëshira e vetë lojtarit. Në këtë rast, Junior dëshiron të përfaqësojë Francën dhe ne e respektojmë këtë,” shtoi Martinezi.
Ndërkohë, Franca e ka publikuar tashmë listën e saj dhe Kroupi nuk është pjesë e 26 lojtarëve të përzgjedhur nga Didier Deschamps. Ai konkurron në një repart sulmues shumë të fortë që përfshin emra si Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé, Désiré Doué, Bradley Barcola, Michael Olise dhe Jean-Philippe Mateta. Megjithatë, në të ardhmen, nën drejtimin e një trajneri të ri, Kroupi mund të ketë ende shanse për të hyrë në kombëtaren franceze pas Kupës së Botës.
Portugalia do të marrë pjesë në Grupin K të turneut, ku do të përballet me DR Kongon, Uzbekistanin dhe Kolumbinë.
Një tjetër surprizë në listën e Portugalisë ishte mungesa e João Palhinha-s, mesfushorit të Tottenhamit, i cili ka 37 paraqitje me Kombëtaren, por nuk do të jetë pjesë e Botërorit. Nga ana tjetër, João Félix, Pedro Neto dhe Rafael Leão janë përfshirë në skuadrën për turneun.
