Pezullim fluturimesh në Mynih pas dyshimeve për dron
Fluturimet në Aeroportin e Mynihut, një nga qendrat ajrore kryesore të Gjermanisë, u ndërprenë përkohësisht mëngjesin e sotëm, pas dyshimeve për praninë e një droni në afërsi të tij.
Mediat gjermane, përfshirë Focus Online dhe Bild, raportuan se autoritetet aeroportuale morën vendimin për të ndalur operacionet ajrore për arsye sigurie, duke nisur menjëherë verifikimet për objektin e dyshimtë të konstatuar në hapësirën pranë aeroportit.
Gjithsesi, pak kohë më vonë, Focus Online njoftoi se aktiviteti ajror kishte rifilluar dhe operacionet po i riktheheshin gradualisht normalitetit.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, autoritetet e aeroportit dhe policia nuk kishin dhënë një reagim zyrtar lidhur me incidentin apo natyrën e saktë të alarmit.
Ndërkaq, të dhënat nga faqja zyrtare e Aeroportit të Mynihut tregonin se disa nga fluturimet e planifikuara deri në orën 10:00 me orën lokale ishin vonuar ose anuluar, ndërsa të tjerat vijuan sipas planit.
Autoritetet pritet të japin sqarime të mëtejshme nëse bëhej fjalë për një dron të konfirmuar apo vetëm për një sinjalizim, i cili aktivizoi masat e sigurisë në aeroport.
