Andrea Pirlo është shfaqur si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, një zhvillim ky që vjen pas emërimit të Paolo Maldinit në rolin e drejtorit teknik të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Maldini e sheh Pirlon si favoritin kryesor për stolin e “Azzurrëve”, një lajm ky që ka shkaktuar habi.

Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, Paolo Maldini, i ndihmuar nga Leonardo, ka nisur procesin e përzgjedhjes së trajnerit të ri përpara fillimit të Ligës së Kombeve në shtator. Fillimisht, emra të mëdhenj si Antonio Conte dhe Roberto Mancini konsideroheshin favoritë për këtë post, ndërsa në media u përmend edhe mundësia e Pep Guardiolës. Megjithatë, raportet e fundit tregojnë se Andrea Pirlo ka kaluar në krye të listës së kandidatëve.

Legjenda e futbollit italian, 47-vjeçari Pirlo, ishte një pjesë kyçe e ekipit që fitoi Kupën e Botës në vitin 2006. Ai gëzon një marrëdhënie të shkëlqyer profesionale dhe personale me Maldinin dhe Leonardon, me të cilët ndau vite të suksesshme te Milani.

Aktualisht, Pirlo drejton ekipin United FC në Dubai. Karriera e tij si trajner përfshin eksperienca të rëndësishme, si drejtimi i Juventusit, ku fitoi Kupën e Italisë në sezonin 2020/21, si dhe angazhimet te Fatih Karagümrük në Turqi dhe Sampdoria.

Raportet theksojnë se Maldini kishte menduar ta emëronte Pirlon edhe në stolin e Milanit gjatë vitit 2023, ndërsa tani mund t’i besojë atij drejtimin e Kombëtares italiane. Një tjetër faktor që favorizon Pirlon është ana financiare; paga që ai kërkon është dukshëm më e ulët se ajo e kandidatëve të tjerë, duke e bërë atë një alternativë shumë tërheqëse për FIGC-në.