**Policia e Kosovës sërish pa uniforma të reja, anulohet tenderi 11.3 milionë eurosh**

Policia e Kosovës vazhdon të përballet me pamundësinë e furnizimit me uniforma të reja, një problem i theksuar prej vitesh. Së fundmi, tenderi me vlerë prej 11.3 milionë eurosh për uniforma standarde dhe solemne është anuluar sërish.

Zyrtarët policorë prej kohësh operojnë me uniforma, çizme dhe këmisha të amortizuara, ndërkohë që përpjekjet për tenderimin e tyre kanë qenë të mbushura me vonesa, ankesa, pezullime dhe rivlerësime që nga viti 2023.

Anulimi i fundit, i publikuar në ueb-faqen e E-prokurimit, vjen me arsyetimin se për pjesët 1 dhe 2 të tenderit mungojnë oferta të përgjegjshme. “Policia e Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për Pjesën 1 dhe Pjesën 2 në mungesë të një oferte të përgjegjshme,” theksohet në dokument.

Procesi i tenderimit, i nisur në shtator 2023 me publikimin e njoftimit për kontratë, ka qenë një histori e gjatë komplikimesh. Menjëherë pas hapjes, lindën kërkesa dhe ankesa nga kompanitë për specifikat e uniformave, duke çuar në korrigjime të dosjes së tenderit dhe zgjatje të afatit për ofertim.

Gjatë këtij procesi, Policia e Kosovës mori vendime të shumta për refuzimin e kërkesave, pezullimin e aktivitetit të prokurimit dhe rivlerësime, shpesh pas ankesave të paraqitura në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në dhjetor 2023, PK-ja pranoi 12 oferta nga kompani të ndryshme për furnizimin me uniforma standarde dhe solemne. Megjithatë, një numër operatorësh ekonomikë u eliminuan për arsye të ndryshme, përfshirë mungesën e “A-testeve” të akredituara – testime teknike dhe laboratorike që vërtetojnë cilësinë dhe përputhshmërinë e materialeve me specifikimet e kërkuara. Për shembull, kompania “DE Kosova Tekstil L.L.C” u eliminua pasi u konstatua se disa nga testet e saj nuk ishin lëshuar nga trupa akreditues.

Një ankesë e paraqitur nga “DE Kosova Tekstil L.L.C” në OSHP, e cila kundërshtoi rekomandimin për dhënien e tenderit një grupi tjetër kompanish, rezultoi me një vendim kyç. Më 15 maj 2024, ekspertët e OSHP-së rekomanduan anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës dhe anulimin e vetë aktivitetit të prokurimit. Bazuar në këtë rekomandim, Policia e Kosovës, më 19 gusht 2024, mori vendimin për anulimin e dhënies së tenderit për kompanitë e rekomanduara paraprakisht.

Në fund, pas një historie të gjatë me ankesa, rivlerësime dhe pezullime, tenderi prej 11.3 milionë eurosh u anulua. Këto probleme të vazhdueshme e lënë Policinë e Kosovës pa uniforma të reja, ndërkohë që zyrtarët janë çdo ditë në detyrë për sigurinë publike.