Policia e Rajonit të Prishtinës ka ekzekutuar 191 urdhëresa gjyqësore gjatë javës së kaluar. Këto veprime janë kryer në vende të ndryshme dhe përmes operacioneve të veçanta.

Sipas Policisë, 48 nga këto urdhëresa lidheshin me vepra penale, ndërsa të tjerat ishin për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të ndryshme. Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar në institucionet përkatëse për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata me gjobë janë liruar pasi kanë plotësuar detyrimet e tyre sipas urdhëresave.

Krahas ekzekutimit të urdhëresave, Policia e Prishtinës ka kryer edhe aktivitete të tjera të rëndësishme. Gjatë të njëjtës periudhë, janë sekuestruar 17 armë zjarri të llojeve e kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi municioni.

Në fushën e sigurisë rrugore, janë shqiptuar gjithsej 4,721 gjoba për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 953 shkelje janë regjistruar nga automjetet me teknologji inteligjente dhe ato të pajisura me radar mobil.

Policia ka theksuar se këto aktivitete do të vazhdojnë me intensitet edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit në të gjithë rajonin e Prishtinës.