**Presidentja Pula: Tradita arkitekturore e Kosovës meriton njohje dhe vlerësim**

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sot në aktivitetin e shënimit të Ditës Botërore të Arkitekturës, organizuar nga Oda e Arkitektëve të Kosovës.

Në fjalën e saj, Presidentja Pula theksoi se kjo ditë shërben si kujtesë që arkitektura nuk është thjesht projektim dhe ndërtim objektesh, por njëkohësisht përcakton hapësirat ku jetojmë, punojmë dhe kalojmë pjesën më të madhe të kohës sonë.

Sipas Presidentes Shiroka Pula, Kosova ka një traditë të pasur arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet. Ajo nënvizoi gjithashtu se mënyra sesi ndërtohet sot do të ketë ndikim thelbësor në jetën e brezave të ardhshëm.

Me këtë rast, Presidentja përgëzoi Odën e Arkitektëve për nderimin e profesor Bashkim Fehmiut, duke i ndarë titullin “Anëtar Nderi Post Mortem”.

Pula theksoi rëndësinë e figurës së Fehmiut, duke u shprehur: “Ai ishte arkitekti i parë i shkolluar në Kosovë dhe një prej njerëzve që ndihmuan në formësimin e Prishtinës moderne. Nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, te lagjet Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit, deri te hoteli Grand, veprat e tij janë pjesë e përditshmërisë sonë. Ato tregojnë se si puna dhe vizioni i një arkitekti mund të ndikojnë në zhvillimin dhe pamjen e një qyteti për shumë breza.”