Profesori spanjoll i së Drejtës Kushtetuese, Joaquín Urías, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar e ka ndëshkuar Hashim Thaçin më ashpër se çdo organizator serb i akuzuar për gjenocid në Kosovë. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Speciale të Hagës është i vështirë për t’u mbështetur, pasi duket se buron nga llogaritje politike.
Në një analizë të thelluar mbi çështjen, Urías shprehet se dënimi ndaj Thaçit është më i rëndë sesa ai i dhënë çdo organizatori të përpjekjes serbe për gjenocid. Ai vë në pah se ky vendim, pavarësisht faktit se synon të diktojë drejtimin e shoqërisë kosovare, duket se është fryt i kalkulimeve politike. “Përballë konflikteve më të mëdha të njerëzimit, ligji duket se është destinuar të shërbejë thjesht si një mbulesë për politikën. Apo për etikën”, ka shkruar Urías, duke theksuar lidhjen e ndërlikuar mes ligjit dhe interesave politike, raporton Express.
Profesori spanjoll shton se krimet e kryera nga serbët në Kosovë janë të pakrahasueshme me ato që Haga pretendon se janë kryer nga Thaçi dhe të tjerët. Ai thekson rëndësinë jetike të kontekstit, duke argumentuar se krimet e luftës që i atribuohen Thaçit u kryen në kuadrin e një përgjigjeje guerile kundër spastrimit etnik.
