Prokurori në rastin “Capat vs Sekiraqa”: Sekiraqa e pozicionoi Llumnicën si “specialist të revoles”
Në gjykimin e rastit të vrasjes në lagjen Aktash të Prishtinës, prokurori Bashkim Zeqaj deklaroi të mërkurën në Gjykatën Themelore se i akuzuari Salih Sekiraqa kishte dëshiruar pasojën, duke e pozicionuar të akuzuarin Robert Llumnica si “specialist të revoles”.
Sipas prokurorit, masat e fshehta të aplikuara gjatë hetimit dëshmojnë suksesin e rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ky e dinte se ata do të vinin, prandaj e vendosi Robertin, specialistin e revoles,” citohet të ketë thënë prokurori Zeqaj.
Prokurori Zeqaj theksoi se rasti ka shkaktuar pasoja të rënda, përfshirë vdekjen e një personi, plagosjen e disa të tjerëve, si dhe rrezikimin e jetës për persona të tjerë. Ai shtoi se ngjarja nuk ishte e rastësishme, por erdhi si rezultat i konfliktit mes dy grupeve, “Capat vs Sekiraqa”.
Gjatë fjalës së tij hyrëse, prokurori përmendi se do të dëgjohet se si është kërkuar shuma prej 50 mijë eurosh në emër të ndikimit. Po ashtu, ai tha se ekziston një sërë provash materiale dhe personale që vërtetojnë veprimet e të akuzuarve.
Të akuzuarit për vrasje dhe tentativë vrasje në Aktash u deklaruan sërish të pafajshëm. Në këtë seancë, Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për akuzat “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Nga ana tjetër, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Ajvazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, por pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, Vesel Bunjaku pranoi fajësinë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova”, ndërsa procedura ndaj tij u veçua.
Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Ajvazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku akuzohen lidhur me vrasjen e Premtim Gashit, e cila ndodhi më 1 shtator në lagjen Aktash në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së mërkurës, i akuzuari Korab Gashi u deklarua i pafajshëm për veprat penale që i ngarkohen, duke theksuar se nuk ka prova që e inkriminojnë atë në këtë rast. “Nuk e pranoj fajësinë sepse prokurori nuk ka asnjë provë të vetme e cila më inkriminon mua në këtë rast,” tha Gashi.
