Çifti i njohur, i cili tërhoqi vëmendjen e opinionit publik me një propozim romantik të guximshëm dhe ilegal në majën e Empire State Building në Nju Jork, është paraqitur para gjykatës. Ata përballen me akuza të ndryshme, ndërsa pas seancës nuk ngurruan të shfaqin dashurinë e tyre para kamerave me puthje dhe përqafime.

Ivan Kuznetsov, 32 vjeç, dhe Angelina Nikolaou, 33 vjeçe, u paraqitën para gjykatës së Nju Jorkut. Pas seancës, ata u përqafuan dhe u puthën para kamerave dhe fotografëve të pranishëm.

Çifti, i cili është i njohur për ngjitjet e paligjshme në struktura të larta në vende të ndryshme të botës, realizoi ngjitjen në antenën e rrokaqiellit të famshëm të Nju Jorkut, rreth 443 metra të lartë, më 1 korrik.

Gjatë ngjitjes, ata shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kur fuqia e dashurisë të triumfojë mbi dashurinë për pushtet, bota do të njohë paqen.”

Më pas, Ivan Kuznetsov, i njohur gjithashtu me pseudonimin Ivan Beerkus për aktivitetet e tij si alpinist urban, u ul në gjunjë dhe i propozoi partneres së tij. Akti u pasua nga përqafime dhe puthje në majë të ndërtesës.

Çifti, me origjinë ruse, ka fituar famë në internet duke publikuar video nga ngjitjet e tyre në ndërtesa dhe struktura të larta. Historia e tyre është pasqyruar gjithashtu në dokumentarin e Netflix, “Skywalkers: A Love Story”.

Ata përballen me akuza serioze, të cilat përfshijnë rrezikimin e të tjerëve, vjedhjen me thyerje dhe shkaktimin e dëmeve. Megjithatë, çifti i ka mbrojtur veprimet e tyre, duke i cilësuar si pjesë thelbësore të aktivitetit të tyre artistik.

“Çfarëdo që të ndodhë në gjykatë, ne e respektojmë procesin dhe pranojmë pasojat e zgjedhjeve tona”, kanë deklaruar ata.

Deri më tani, ata nuk kanë deklaruar fajësinë apo pafajësinë e tyre.

Gjatë paraqitjes së tyre të shkurtër në gjykatë, Kuznetsov dhe Nikolaou, të veshur me xhaketa lëkure të zeza dhe xhinse, qëndruan të bashkuar, duke u mbajtur për dore. Avokatët e tyre i përfaqësuan para trupit gjykues.

Seanca e radhës është caktuar për datën 29 shtator.