Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, gjatë protestës së komunave në Prishtinë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të kompensojë komunat për mjetet e marra dhe të marrë përsipër financimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e nivelit qendror.
Aliu theksoi se çdo dëmtim i buxhetit komunal prek drejtpërdrejt qytetarët, të cilët, sipas tij, nuk meritojnë të ndëshkohen.
“Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve. Mjaft me qasjet selektive, jombështetëse dhe diskriminuese ndaj komunave. Mjaft më me barrën financiare që u imponohet komunave pa fajin e tyre dhe që po e bën jofunksionale e po e shkatërron qeverisjen lokale në tërësi. Komunat nuk janë të kryetarëve, komunat janë të qytetarëve. Qytetarët e qyteteve tona nuk meritojnë të ndëshkohen, sepse kur dëmtohet buxheti i komunës, nuk dëmtohet vetëm komuna, por qytetarët. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës t’i kompensojë komunat për mjetet e marra dhe të marrë përsipër financimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e nivelit qendror”, deklaroi Aliu.
Më tej, ai theksoi se presioni ndaj komunave nuk është vetëm financiar, por shfaqet edhe në tendencat për centralizim.
“Komunat nuk janë degë administrative të qeverisë. Ato janë institucione të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët”, përfundoi Aliu.
