**Sllovenia mbledh përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, Zulfaj: Takim mundësi për avancimin e Kosovës në BE**

Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, ka marrë pjesë në forumin e Bledit në Slloveni, ku falënderoi ministrin slloven të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Tone Kajzer, për organizimin e një mëngjesi pune me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

Në një postim të tij, Zulfaj theksoi se ky takim ishte një mundësi e rëndësishme për të shpalosur prioritetet e Kosovës drejt avancimit të statusit si vend kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryenegociatori vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbësore. Sipas tij, ato mundësojnë lëvizshmërinë dhe ndërlidhjen e qytetarëve, si dhe mbajnë të rinjtë në rajon për të ndërtuar të ardhmen e tyre, në vend që të largohen prej tij.

Zulfaj theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të BE-së, veçanërisht në kontekstin e luftës në kontinent, duke argumentuar se zgjerimi ka më shumë rëndësi se kurrë. Ai shtoi se vendet që ndajnë vlerat e Unionit, avancojnë demokracinë, përafrojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së dhe forcojnë sundimin e ligjit, duhet të ecin përpara në procesin e anëtarësimit.

Ai përsëriti angazhimin e Kosovës ndaj këtij procesi, duke u shprehur se anëtarësimi në BE e bën vendin më të mirë dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Slloveninë për të avancuar këtë qëllim.