Protesta e 19-të në Tiranë: Tetë orë tensione dhe përplasje

Protesta e 19-të në Tiranë nisi ditën e shtunë, e ndarë në dy pika kryesore: studentët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ndërsa Partia Demokratike (PD) organizoi një tubim para Kryeministrisë.

Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kishte ftuar anëtarët, mbështetësit dhe qytetarët nga i gjithë vendi t’i bashkoheshin kësaj proteste kombëtare, që synonte të mbështeste edhe protestën studentore. Megjithatë, vetë Berisha nuk mori pjesë në marshim.

Deputetë të opozitës, mes të cilëve Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati, udhëhoqën marshimin e mbështetësve të Partisë Demokratike drejt Kryeministrisë, ku qëndruan për rreth 30 minuta.

Më pas, ky grup protestuesish u nis drejt Ministrisë së Arsimit, ku ndodheshin studentët. Sapo mbërritën në hyrje të Rrugës së Durrësit, ata u përballën me thirrje kontradiktore si “Rama në burg, Berisha në burg”. Pati edhe një përplasje verbale mes protestuesve, ku njëri prej tyre kërkoi largimin e deputetëve të opozitës. Nga ana tjetër, grupimi i Partisë Demokratike lëshoi thirrje si “Poshtë komunizmi”. Pas këtyre momenteve të para tensioni, dy grupimet – studentët dhe mbështetësit e PD-së – vijuan të qëndronin në zonën e Rrugës së Durrësit.

Situata u tensionua më tej para Ministrisë së Arsimit. Përreth një ore, Policia e Shtetit u bëri thirrje vazhdimisht protestuesve që të ndalonin hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt efektivëve. Sipas policisë, personat që hidhnin sende të forta ishin të maskuar dhe tashmë të identifikuar, duke u paralajmëruar se do të përballeshin me ligjin. Protestuesve të tjerë iu kërkua të distancoheshin nga këta individë. Pavarësisht paralajmërimeve të njëpasnjëshme, një pjesë e protestuesve vazhduan të shkulnin pllaka guri nga trotuaret dhe t’i hidhnin drejt forcave të rendit. Policia theksoi se ky ishte paralajmërimi i fundit.

Në këtë zonë u krijua edhe një re tymi. Fillimisht u raportua për flakadanë, por më pas u sqarua se tymi vinte nga zjarrvënia e fikur në kazanët e mbeturinave pranë ministrisë. Ndërkohë, protestuesit vijonin me thirrjet “Ju erdhi fundi”. Policia kujtoi gjithashtu hyrjen në fuqi të aktit normativ që ndalon mbajtjen e maskave dhe goditjen ndaj forcave të policisë gjatë protestave.

Deri në këtë fazë, forcat e policisë ishin treguar të rezervuara dhe nuk kishin ndërhyrë fizikisht, duke përdorur në një moment vetëm automjetin ujëhedhës (autoburgun) si masë parandaluese. Rreth orës 15:20, situata u përshkallëzua kur protestuesit filluan të hidhnin koktej molotovi drejt efektivëve të policisë, të cilët u kundërpërgjigjën me ujë.

Pas disa orësh tensionesh dhe përplasjesh, protestuesit u larguan nga zona pranë Ministrisë së Arsimit dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku qëndruan të qetë për një kohë të shkurtër.

Rreth orës 17:00, situata para Kryeministrisë u tensionua sërish, pasi disa protestues hodhën bomba molotovi në drejtim të forcave të policisë. Si përgjigje ndaj incidenteve, policia nisi ndërhyrjen me automjetet ujëhedhëse dhe, përmes megafonëve, u bëri thirrje protestuesve të ndalonin veprimet e dhunshme dhe të largoheshin nga perimetri i godinës.

Gjatë pasdites së shtunë, reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili postoi foto nga protesta poshtë zyrës së tij, duke përcjellë ironi me mesazhin: “Ai momenti kur përsërit të njëjtën gjë dhe pret një rezultat të ndryshëm”.

Pas këtyre tensioneve dhe përplasjeve, policia nisi shoqërimin e disa prej protestuesve. Protesta u zhvendos nga Kryeministria në rrugët e Tiranës. Policia ndoqi protestuesit, ndërsa këta të fundit hodhën koktej molotovi drejt automjetit ujëhedhës në zonën e “Myslym Shyrit”. Disa protestues u fshehën në rrugica për t’iu shmangur shoqërimeve.

Pas një shpërndarjeje të shkurtër, protestuesit u rikthyen sërish para godinës së Kryeministrisë, duke vijuar tubimin me thirrje politike. Policia u përgjigj me llak me ujë dhe piper.

Sipas raportimeve të Top Channel, tre persona u arrestuan dhe gjatë ndërhyrjes iu sekuestruan edhe disa bomba molotovi.