Marta Kos: Shqipëria në BE deri në 2030, ndoshta edhe më herët; kundërshton anëtarësimin e diferencuar

Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian edhe përpara vitit 2030, objektiv ky i përmendur nga kryeministri Edi Rama. Ky vlerësim u dha nga Marta Kos, komisionerja evropiane për zgjerimin, gjatë një diskutimi në Këshillin Atlantik (Atlantic Council).

Ajo foli për rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, duke theksuar progresin e Malit të Zi dhe Shqipërisë. Kos vuri në dukje se, megjithëse Bashkimi Evropian nuk vendos data fikse për anëtarësim, ajo mbështet objektivat ambicioze të vendeve kandidate. Për Malin e Zi, me rreth 650,000 banorë, Kos e cilësoi të mundur mbylljen e kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2028, duke u bërë kështu anëtari i 28-të i BE-së. Gjithashtu, ajo theksoi mundësinë që edhe Shqipëria të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030, apo edhe më herët, në varësi të përmbushjes së reformave dhe meritave.

Ndërsa u pyet për propozimin e fundit të presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit shqiptar Rama, të cilët sugjeruan një formë anëtarësimi të diferencuar – ku vendet e tyre mund të integrohen në zonën Shengen dhe tregun e brendshëm pa të drejtë vetoje – Marta Kos shprehu kundërshtimin e saj të prerë.

Komisionerja evropiane ishte e qartë: “Nuk ekziston një anëtarësim i diferencuar. Ose je anëtar i plotë dhe gëzon të gjitha të drejtat, ose nuk je anëtar dhe nuk përfiton nga to.” Ajo theksoi se roli i saj është t’i ndihmojë vendet të bëhen anëtare të plota të BE-së, dhe jo të pranojnë zgjidhje të pjesshme. Kos shtoi se, edhe pse e kupton logjikën e Vuçiç dhe Ramës për të kërkuar “diçka më pak” nëse procesi i zgjerimit ngec, ajo nuk e mbështet këtë qasje. “Rregulli është i thjeshtë: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian,” përfundoi ajo.